Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Europës të zgjohet, teksa e bëri të qartë se presidenti amerikan Donald Trump, Presidenti kinez Xi Jinping dhe Presidenti rus Vladimir Putin janë të vendosur kundër europianëve.
“Së pari, nuk duhet ta nënvlerësojmë faktin se ky është një moment unik ku një president i Shteteve të Bashkuara, një president rus, një president kinez janë të vendosur kundër evropianëve. Pra, ky është momenti i duhur për ne, zgjohuni.”
Macron i bëri komentet gjatë një diskutimi mbi sovranitetin evropian me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Agora Romake.
Kreu i Elize filloi një vizitë dy-ditore në Greqi që synon forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit strategjik midis dy vendeve.
Athina dhe Parisi nënshkruan një marrëveshje mbrojtjeje prej 3 miliardë eurosh në vitin 2021, e cila përfshinte blerjen e 24 avionëve luftarakë Rafale dhe katër fregatave .
Zyra e Macron ka thënë se vizita e tij aktuale synon ripërtëritjen e këtij partneriteti mbrojtës, i cili përfshin një klauzolë ndihme të ndërsjellë në rast të një sulmi të armatosur kundër secilit prej vendeve
Në një fjalim muajin e kaluar, Macron ofroi bisedime me disa partnerë evropianë, përfshirë Greqinë, për të marrë pjesë në aktivitetet bërthamore të Francës./abcnews.al


