SHBA-Rusi, Pompeo në Moskë: Jo ndërhyrje në zgjedhje

schedule23:55 - 14 Maj, 2019

schedule 23:55 - 14 Maj, 2019

Në vizitën e parë në Rusi si sekretar Shteti, Majk Pompeo i ka bërë thirrje Kremlinit që të mos përzihet në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Por pavarësisht porosive reciproke, palët janë shprehur në favor të përmirësimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo i ka bërë të qartë homologut rus Sergei Lavrov se Uashingtoni pret që Moska të mos ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke paralajmëruar se një lëvizje e tillë do të rrënonte më tej marrëdhëniet e dëmtuara mes dy vendeve. Në vizitën e parë të zhvilluar në Moskë si sekretar i Shtetit, Pompeo u përplas me Lavrov sa u takon çështjeve të Ukrainës dhe Venezuelës, përplasje të cilën të dy ata e konfirmuan në përfundim të takimit, kur thanë se qëndrimet e tyre janë diametralisht të kundërta. “Unë ia bëra të qartë ministrit Lavrov se ndërhyrja në zgjedhjet amerikane është e papranueshme. Nëse rusët e bëjnë një gjë të tillë në vitin 2020, atëherë marrëdhëniet tona do të bien në një nivel edhe më të ulët se aktualisht”, tha Pompeo. Sidoqoftë, dy shefat e diplomacive shprehën dëshirën për t’i përmirësuar marrëdhëniet, edhe pse nuk ishin në gjendje të konfirmonin një takim të përfolur mes presidentëve Trump dhe Putin muajin e ardhshëm në Japoni, me rastin e samitit të G20-s. Nga ana e tij, ministri Lavrov theksoi se është koha që Moska dhe Uashingtoni të lënë mënjanë mosbesimin dhe të gjejnë një rrugë bashkëpunimi konstruktiv. “Mes nesh ka dyshime dhe paragjykime, të cilat cënojnë sigurinë e të dy vendeve dhe shkaktojnë shqetësim në mbarë botën. Ndaj mendoj se është koha që të ndërtojmë një format të ri dhe konstruktiv në marrëdhëniet tona”, tha Lavrov. Duke përcjellë mesazhin e presidentit Trump, Pompeo shtoi se, nuk është e thënë që dy vendet të jenë gjithmonë kundërshtare dhe shprehu dëshirën që të gjejnë fusha me interes të përbashkët. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!