SHBA rrezikon titullin botëror në Basketboll, pa yjet e NBA-së

schedule13:40 - 4 Shtator, 2019

schedule 13:40 - 4 Shtator, 2019

Basketbolli amerikan tregoi edhe një herë se rrezikon turpërimin në Kupën e Botës në Kinë. Ekipi kombëtar amerikan fitoi me vështirësi ndaj Turqisë, ndërsa sfidat e ardhshme do të jenë edhe më të forta.

Dihej që më parë se kjo e tanishmja nuk mund të quhej një “Skuadër Ëndërr”.

Dyshimi u përforcua thuajse në bindje, ndërsa kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës luajti ndeshjen e saj të dytë në Botëror, dhe shpëtoi me fat.

Turqia u kalua 93-92 pas kohës shtesë, fitorja më e ngushtë në 13 vjet në finalet e turneve të mëdhenj, ndërsa u ruajt seria prej 44 fitoresh radhazi, që nga humbja me Greqinë në Botërorin e vitit 2006.

Jo vetëm kaq, por turqit e kishin ndeshjen në dorë dhe mund të thuhet se e humbën vetë, jo se e fituan amerikanët.

Ja pra, çdo të thotë nëse SHBA dërgon në Botëror një ekip me vetëm dy lojtarë të Ndeshjes së Yjeve të NBA-së, dhe ka përballë një kundërshtar me tre yje të basketbollit amerikan.

“Ne luajtëm ndaj një skuadre me shumë përvojë, – pohoi trajneri Greg Popoviç në mbyllje të duelit në Shangai, – dhe kuptuam sesa shumë duhet të ndryshojmë për t’ia dalë mbanë. Ne e dimë se basketbolli në Kinë, por edhe në gjithë botën”.

Lojtarët e vetëm të Ndeshjes së Yjeve të NBA-së ishin Kris Midëllton dhe Kemba Uolker, ndërsa kampionët e mëdhenj mungojnë, si Lebron Xhejms, Durant, Kërri, Leonard, Uestbruk apo Harden.

Sesa shumë është afruar sot basketbolli botëror me atë amerikan, e tregoi edhe humbja e Greqisë ndaj Brazilit.

Skuadra greke u udhëhoq nga lojtari më i mirë i sezonit në NBA, Janis Antetokumbo, por ky u mbulua fort duke mos dhënë atë që pritej.

Brazilianët triumfuan 79-78, dhe Antetokumbo realizoi vetëm 13 pikë, si dhe u përjashtua për gabime personale.

Trajneri I Brazilit, kroati I famshëm Aleksandar Petroviç, theksoi pas ndeshjes se e dinte prej 6 muajsh sesi do ta ndalonte yllin e Miluokit, duke shtuar se Antetokumbo 23-vjeçar u mbulua pa problem nga një 39-vjeçar si Aleks Garsia.

Grekët patën edhe lojtarë të tjerë shumë të mirë si Princezis, Papanikolau, Kalathes apo Slukas, ndërsa latinoamerikanët u përgjigjën me yllin e NBA-së, Anderson Varezhao, që shënoi 22 pikë dhe kapi 9 topa në tabela.

Një tjetër shembull se gjithë bota di të luajë basketboll erdhi nga humbja e Gjermanisë me Republikën Domenikane.

Gjermanët kanë lojtarë në NBA, ndërsa kundërshtari nuk ka asnjë, por sërish triumfoi. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!