Administrata e presidentit demokrat të SHBA, Joe Biden njoftoi të enjten një tjetër paketë ndihme armësh për Ukrainën, me vlerë 500 milionë dollarë, tha në një deklaratë Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha më herët se SHBA do të vazhdojë të ofrojë paketa shtesë për Ukrainën “deri në fund të kësaj administrate”.
Uashingtoni njoftoi 10 ditë më parë se do t’i dërgonte Ukrainës raketa, municione, mina dhe armë të tjera me vlerë 725 milionë dollarë.
Administrata amerikane po kërkon të forcojë Ukrainën kundër pushtimit rus, përpara se mandati i Biden të përfundojë në janar, kur presidenti i zgjedhur republikan Donald Trump do të marrë detyrën.
Paketa e së enjtes me vlerë rreth 500 milionë dollarë përfshin ndër të tjera municione për sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) dhe raketa kundër rrezatimit me shpejtësi të lartë (HARMs)./abcnews.al