SHBA, nisin dëshmitë në kongres për hetimin ndaj Donald Trump

schedule23:42 - 13 Nëntor, 2019

schedule 23:42 - 13 Nëntor, 2019

Në komisionin e inteligjencës të Kongresit amerikan nisën këtë të mërkurë dëshmitë mbi hetimin ndaj presidentit amerikan Donald Trump për çështjen e Ukrainës. Kjo është përpjekja e re e demokratëve për shkarkimin e presidentit.

Ky i fundit në një mesazh nga shtëpia e bardhë tha se opozitarët po përpiqeshin ta ndalnin pasi ai lufton për amerikanët.

Të mërkurën nisën dëshmitë publike në Komisionin e Inteligjencës në Dhomën e Ulët të Kongresit Amerikan mbi hetimin ndaj presidentit amerikan Donald Trump për cështjen e Ukrainës.

Të parët që dëshmuan ishin Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, George Kent dhe i ngarkuari më punë i Washingtonit në Ukrainë, diplomati i karrierës William Taylor.

Të dy mbështetën dyshimet kryesore mbi të cilat ka nisur hetimi, sipas të cilave presidenti Trump ka shfrytëzuar postin për t’i bërë presion homologut ukrainas, duke zvarritur nënshkrimin e ndihmës ushtarake 400 milionë dollarësh deri në marrjen e garancisë që Zelensky të nxisë hetimet në Ukrainë për rivalin e mundshëm demokrat në presidencialet e ardhshme Joe Biden.

George Kent tha se nuk besonte se Shtetet e Bashkuara mund t’u kërkojnë vendeve të tjera të angazhohen në hetime selektive ndaj kundërshtarëve politikë brenda vendit. Këto veprime sipas tij, minojnë sundimin e ligjit në pavarësisht vendit ku kryen.

Ndërsa William Taylot tha se gjatë Korrikut, u duk qartë se takimi me Presidentin Zelensky u kushtëzua me hetimet për kompaninë Burisma dhe ndërhyrjen e mundshme nga Ukraina në zgjedhjet amerikane të 2016-s. Kjo u bë përmes kanaleve të jashtëligjshme politike, nënvizoi diplomati.

Një telefonatë e 25 korrikut midis Trumpit dhe Zelenskiyt është arsyeja për të cilën Dhoma e Përfaqësuesve nisi hetimin në kuadër të procedurës së shkarkimit të presidentit amerikan. Një informator ende i paidentifikuar, dërgoi ankesë duke thënë se biseda përbënte shkelje nga ana e presidentit amerikan.

Pak kohë më parë, në media qarkulluan lajme se kur ishte Zv/president, Joe Biden kishte ndikuar në shkarkimin e ish-kryeprokurorit ukrainas Viktor Shokin në vitin 2016, për të ndalur hetimin ndaj një kompanie ku ishte punësuar i biri Hunter Biden.

Presidenti Donald Trump e ka quajtur hetimin e ri të nisur ndaj tij , një gjueti shtrigash e përmes një mesazhi nga shtëpia e bardhë, publikuar në twitter-in e tij tha:

“Ata po përpiqen të më ndalin mua. Unë do luftoj për ju! Dhe nuk do i lejoj kurrë ta bëjnë.”/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!