Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

SHBA ndërpret ndihmat, fëmijët e uritur në Kenia mbeten pa trajtim

schedule16:47 - 12 Dhjetor, 2025

schedule 16:47 - 12 Dhjetor, 2025

Ndërprerja e fondeve amerikane për programet globale të ushqimit po sjell pasoja të rënda në Kenia, ku qindra fëmijë të prekur nga kequshqyerja e rëndë kanë mbetur pa trajtimin jetik që u siguron mbijetesën.

Reuters sjell rastin e një 4-vjeçari, Peter Lokoyen, nga Turkana e veriut që tregon qartë krizën. I nisur fillimisht me ushqimin terapeutik të specializuar (RUTF), ai u përkeqësua në korrik pasi klinika ku trajtohej mbeti pa furnizime. Familja u detyrua të ushqehej me fruta të egra, në kushtet e një thatësire të zgjatur që ka shkatërruar bagëtitë dhe burimet e ushqimit.

Deri në fund të tetorit, Peter Lokoyen peshonte 11.4 kg (një e treta më pak se pesha mesatare për djemtë e moshës së tij sipas OBSH-së) dhe ishte vetëm 87 cm i gjatë. Motra e tij 20-muajshe, Melvine, ishte pothuajse po aq e gjatë sa ai.

Sipas të dhënave të UNICEF, këto mungesa kanë ardhur si rezultat i shkurtimit të menjëhershëm të programeve të financuara nga USAID, pas vendimit të presidentit Donald Trump për reduktimin drastik të ndihmës së jashtme. Agjencia amerikane financonte rreth gjysmën e furnizimit global me RUTF, pastë ushqimore me bazë kikiriku që është trajtimi kryesor për fëmijët me kequshqyerje akute të rëndë.

Në qarkun Turkana, gazetarët e Reuters kanë gjetur rafte bosh në të shtatë klinikat e vizituara në fund të tetorit. Punonjësit shëndetësorë thonë se mungesat kanë zgjatur me muaj, duke sjellë pasoja të rënda në shëndetin e fëmijëve dhe duke ulur numrin e atyre që paraqiten për trajtim.

Ekspertë të ndihmës humanitare paralajmërojnë se mungesat e zgjatura të ushqimit terapeutik mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme në zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve. “Kur një fëmijë i kequshqyer rëndë mbetet pa trajtim për muaj të tërë, pasojat mund të jenë të pariparueshme,” tha Melaku Yirga nga Mercy Corps.

Ndërkohë, fushatat e depistimit për kequshqyerje janë reduktuar ndjeshëm, duke bërë që shumë raste të rëndohen pa u identifikuar në kohë. Programet e financuara nga SHBA janë ndërprerë gjithashtu edhe në vende të tjera si Kongo dhe Nigeri, ku janë raportuar vdekje të fëmijëve të cilët nuk kanë mundur të sigurojnë trajtim.

Shtetet e Bashkuara mohojnë se ka pasur vdekje si pasojë e shkurtimeve, duke theksuar se po vijojnë të financojnë programe kundër kequshqyerjes. Në gusht, Departamenti i Shtetit njoftoi 93 milionë dollarë shtesë për UNICEF, ndërsa rreth 5 milionë pritet t’i shkojnë Kenias. Megjithatë, furnizimet pritet të jenë të mjaftueshme vetëm deri në janar.

Kriza ushqimore në Kenia po rëndohet edhe nga thatësirat e përsëritura, konfliktet lokale dhe rënia e ndihmës globale. Sipas vlerësimeve, vetëm në Turkana mbi 87 mijë fëmijë nën 5 vjeç do të kenë nevojë për trajtim kundër kequshqyerjes akute gjatë vitit të ardhshëm.

Në nëntor, klinika e Kangatosa-s mori furnizimin e parë pas muajsh mungesë, duke lejuar rifillimin e trajtimit për fëmijë si Peter. Por ndërprerja e gjatë e ushqimit terapeutik ka lënë pasoja, pas një episodi malarie, ai humbi mbi 10% të peshës trupore dhe më 21 nëntor peshonte vetëm 9.9 kg.

Ndërsa komunitetet në verilindje të Kenias vijojnë të përballen me mungesa të rënda ushqimore, ndihma e reduktuar ndërkombëtare po ngre shqetësime serioze për të ardhmen e mijëra fëmijëve që varen nga këto programe për të mbijetuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!