SHBA, mbi 300 gazeta kundër presidentit Donald Trump

schedule11:15 - 16 Gusht, 2018

schedule 11:15 - 16 Gusht, 2018

Mbi 300 gazeta në Shtetet e Bashkuara kanë publikuar editoriale për të mbrojtur lirinë e shtypit. Shkrimet e tyre më shumë janë fokusuar në kundërpërgjigje ndaj presidentit Trump, i cili i ka përkufizuar disa media si “armiq të popullit”.

Të paktën 350 gazeta amerikane kanë vendosur të botojnë editoriale për të mbrojtur lirinë e shtypit në një përgjigje ndaj Presidentit Donald Trump, i cili ka përcaktuar disa media si “armiq të popullit amerikan”. Iniciativa u promovua nga gazeta Boston Globe, të cilës iu bashkua New York Times dhe një seri gazetash lokale, duke përfshirë disa në shtetet ku Trump fitoi gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-s.
Bordi editorial i Boston Globe, në një artikull të botuar në internet e akuzoi Trump se ka kryer “një sulm të zgjatur në shtypin e lirë”. “Madhështia e Amerikës varet nga roli i një shtypi të lirë për t’i treguar të vërtetat e të fuqishmëve”, theksohet në editorialin e Globe. “Etiketimi i shtypit ‘armiku i popullit’ nuk është aq amerikan, por është i rrezikshëm për paktin qytetar që kemi ndarë për më shumë se dy shekuj”.

Trump, duke i trajtuar mediat shpeshherë si pjesë e opozitës, i ka përcaktuar shkrimet e tyre si lajme false. Në shkurt të 2017 ai listoi media të shumta si CNN, ABC, Nju Jork Tajms dhe disa të tjera si “armiq të popullit amerikan!”. Publikimi i editorialëve gjithashtu ndjek të njëjtat kritika ndaj Trump nga një seri figurash publike mbi çështjen e lirisë së shtypit. Në janar, senatori amerikan Jeff Flake, një republikan nga Arizona, tha se Trump kishte përqafuar gjuhën despotike të ish-diktatorit sovjetik Josef Stalin. Gjithashtu edhe disa media në editorialët e tyre e krahasojnë Trumpin me Stalinin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!