Shtetet e Bashkuara i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta mbështesë planin trefazor, të shpallur nga presidenti Joe Biden, që synon t’i japë fund luftës gati tetëmujore në Gazë.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se SHBA-ja shpërndau një projekt-rezolutë te 14 anëtarët e tjerë të Këshillit, për mbështetjen e përfundimit të konfliktit.
Konflikti ka nisur qysh tetorin e kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar papritur Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, ushtria izraelite është duke kryer një fushatë masive sulmesh në Gazë.
Sipas autoriteteve të Hamasit, që kontrollojnë këtë enklavë, mbi 36.000 njerëz janë vrarë deri më tash në sulmet izraelite.