Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio paralajmëroi Izraelin se aneksimi I Bregut Perëndimor përbën rrezik për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza.
Deklaratat e Rubio, erdhën para se ai të nisej në Izrael për t’u takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për të çuar përpara dy projektligje mbi aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, një veprim që është dënuar nga aktorët rajonalë dhe më gjerë.
Diplomati më i lartë amerikan e bëri të qartë se ky veprim nuk do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Mendoj se presidenti e ka bërë të qartë se kjo nuk është diçka që ne mund ta mbështesim tani. Në këtë kohë, është diçka që ne mendojmë se mund të jetë e dëmshme. Jemi të shqetësuar për çdo gjë që kërcënon të destabilizojë atë për të cilën kemi punuar”
Edhe më i ashpër u tregua zëvendëspresidenti JD Vance, I cili e quajti votimin në parlamentin izraelit, një manovër politike idiote, që për vetë atë është fyes.
“Kur pyeta për këtë, dikush më tha se ishte një marifet politik, se nuk kishte asnjë rëndësi praktike dhe nëse ishte I tillë, ishte një marifet politik shumë idiot dhe personalisht e marr pak si fyerje. Bregu Perëndimor nuk do të aneksohet nga Izraeli”
Veç Shteteve të Bashkuara, që janë mbështëtësi kryesor ushtarak dhe diplomatik i Izraelit, vendet arabe dhe ato islame kanë paralajmëruar se aneksimi I Bregut Perëndimor, i udhëhequr nga Autoriteti Palestinez, është një vijë e kuqe.
Ditët e fundit dhuna e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në këtë zonë është rritur, duke shtuar frikën për atë që mund të pasojë.
Megjithatë Rubio shprehu optimizëm për vazhdimësinë e marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Ai tha se fakti që u tejkaluan tensionet e funjavës së kaluar, që lanë disa të vrarë, është një shenjë e mirë.
Sekretari i shtetit bëhet zyrtari më I fundit amerikan që viziton Izraelin këto ditë, mes shqetësimeve se Benjamin Netanyahu do të tërhiqet nga marrëveshja e paqes.

