SHBA-ja sanksionon kompanitë kineze të dronëve

schedule21:18 - 17 Tetor, 2024

schedule 21:18 - 17 Tetor, 2024

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj dy kompanive kineze dhe një kompanie ruse për përfshirjen në prodhimin dhe dërgimin e dronëve që Rusia i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës.

Dy kompanitë kineze që u sanksionuan nga Departamenti amerikan i Thesarit janë Xiamen Limbach Aircraft Engine Company dhe Redlepus Vector Industry Shenzhen.

Xiamen Limbach Aircraft Engine Company prodhon motorin për dronët me rreze të gjatë veprimi, Garpiya të Rusisë, tha Thesari amerikan. Redlepus Vector Industry Shenzhen është i përfshirë në dërgimin e dronëve sulmues, u tha në deklaratën e Thesarit.

Një shtetas rus dhe një kompani ruse e lidhur me dy kompanitë kineze po ashtu janë pjesë e sanksioneve të bëra publike më 17 tetor. I sanksionuari është identifikuar si Artem Yamshchikov, drejtor i përgjithshëm dhe pronar i TSK Vektor, që shërben si kompani ndërmjetëse për një kompani tjetër ruse dhe furnizuesit me bazë në Kinë, që më herët ishin sanksionuar për shkak të projektit të Rusisë për dronët Garpiya.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se sanksionet e reja janë sanksionet e para që SHBA-ja ka vendosur kundër entiteteve kineze për prodhimin e sistemeve të armëve në bashkëpunim me kompani ruse. Sanksionet paraprake kishin shënjestruar entitetet kineze që ofronin komponentë kritikë për industrinë ushtarake të Rusisë.