SHBA, hetim penal ndaj ish-Presidentit Trump në shtetin Xhorxhia

schedule08:12 - 11 Shkurt, 2021

schedule 08:12 - 11 Shkurt, 2021

Prokurorët në Qarkun Fulton të shtetit Xhorxhia kanë filluar një hetim penal lidhur me përpjekjet e ish-Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit në këtë shtet.

Hetimi përfshin një telefonatë që zoti Trump pati me Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, në të cilën i bëri presion që të gjente vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin.

Fani Willis, prokurore demokrate e zgjedhur kohët e fundit në këtë qark, u dërgoi një letër zyrtarëve të shtetit, përfshirë zotit Raffensperger, ku kërkon që ata të ruajnë dokumentet lidhur me telefonatën e zotit Trump. Në letër thuhej qartë se kërkesa ishte pjesë e një hetimi penal, sipas një zyrtari, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Hetimi vjen ndërsa Trump përballet me një gjyq të dytë në Senat me akuzën e “nxitjes së rebelimit” për rolin e tij në trazirat në Kapitol më 6 janar.Dhuna e asaj dite erdhi pas disa javë pretendimesh të rreme të ish-presidentit se mashtrimi zgjedhor e privoi atë nga fitorja, duke përfshirë shtetin e Xhorxhias ku ai humbi me rreth 12,000 vota më pak./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!