SHBA/ Gjykatësi hedh poshtë kërkesën e ish-Presidentit Trump për të shtyrë një nga proceset e tij

schedule17:05 - 4 Prill, 2024

schedule 17:05 - 4 Prill, 2024

Një gjykatës në Nju Jork hodhi poshtë të mërkurën kërkesën e ish-presidentit Donald Trump për të shtyrë datën e gjyqit caktuar ndaj tij, mbi akuzat lidhur me pagesat në këmbim të heshtjes për një aktore filmash pornografikë.

Ish-presidenti Trump kishte kërkuar që gjyqi i 15 prillit të shtyhej deri kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të shqyrtonte pretendimin për imunitet presidencial në një çështje tjetër penale.

Gjykata pritet të dëgjojë më 25 prill argumentet e ish-presidentit të SHBA se ai është i imunizuar nga ndjekja penale federale lidhur me përpjekjen për të përmbysur rezultatin e gjedhjeve të vitit 2020 që ai i humbi ndaj presidentit demokrat Joe Biden.

Avokatët e tij mbrojtës për çështjen e Nju Jorkut i kishin kërkuar gjykatësit Juan Merchan të shtynte gjyqin derisa të përfundonte shqyrtimin Gjykata e Lartë, duke argumentuar se kjo ishte e rëndësishme pasi prokurorët duan që të paraqesin si prova deklarata që zoti Trump kishte bërë kur ishte president nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Në një vendim të mërkurën, gjykatësi Merchan tha se zoti Trump kishte pritur shumë gjatë për të ngritur këtë çështje.

“I pandehuri kishte një sërë mundësish për të ngritur pretendimin e imunitetit presidencial, shumë më herët se sa 7 marsi 2024,” tha gjykatësi Merchan.

Todd Blanche, një avokat i zotit Trump, nuk pranoi të komentojë.

Zoti Trump, kandidati republikan që pritet të sfidojë presidentin Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit, ka deklaruar se është i pafajshëm në secilën nga çështjet penale me të cilat përballet.

Çështja e Nju Jorkut mund të jetë e vetmja për të cilën ai do të dalë në gjyq përpara zgjedhjeve.

Ai akuzohet për falsifikim të dhënash të biznesit në mënyrë që të mbante të fshehtë pagesën prej 130,000 dollarësh që ish-avokati i tij Michael Cohen i dha aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj para zgjedhjeve të 2016, në lidhje me një marrëdhënie intime që ajo thotë se kishte pasur me zotin Trump në 2006. Ish-presidenti Trump mohon të ketë pasur një marrëdhënie të tillë me aktoren emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!