SHBA, fushata për Shtëpinë e Bardhë

schedule19:31 - 3 Shtator, 2024

schedule 19:31 - 3 Shtator, 2024

Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, është nga Kalifornia, një prej shteteve më liberale në Amerikë. E kaluara e saj si prokurore e San Françiskos, prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe senatore janë në qendër të fushatës së saj për postin e presidentes së Shteteve të Bashkuara. Kundërshtari i saj, republikani Donald Trump, thotë se e kaluara e zonjës Harris në Kaliforni tregon se ajo është shumë liberale për pjesën tjetër të Amerikës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, bisedoi me votuesit në Los Anxhelos dhe sjell në vazhdim mendimet e elektoratit në Kaliforni.

Demokratët e Kalifornisë hodhën votën për të preferuarin e tyre.

“Kalifornia i jep të 482 votat presidentes së ardhshme, Kamala Harris”, tha guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom gjatë kuvendit demokrat në Çikago.

Zonja Harris thotë se puna e saj në Kaliforni nxjerr në pah shqetësimet e përbashkëta.

“Si prokurore e re në sallën e gjyqit në Oakland të Kalifornisë, kam mbrojtur të drejtat e grave dhe fëmijëve përballë atyre që i abuzonin. Si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë kam luftuar bankat e mëdha. Kemi fituar 20 miliardë dollarë për familjet e klasës së mesme që u përballën me falimentim”, tha zonja Harris në kuvendin demokrat.

Kundërshtari i saj republikan, Donald Trump, thotë se e kaluara e zonjës Harris në Kaliforni tregon se ajo do ta shkatërronte Amerikën.

“Axhenda e saj radikale liberale e shkatërroi San Françiskon. Ajo e shkatërroi Kaliforninë kur ishte prokurore e përgjithshme. Ajo e shkatërroi klasën e mesme, shkatërroi kufirin dhe i vuri flakën botës. Tani do të marrë postin e lartë si krye-shkatërrimtare e vendeve të punës”, thotë Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane për president.

Kalifornia njihet si shteti me ligjet më liberale për të drejtat e punonjësve, mjedisin dhe të drejtat e komuniteteve LGBTQ. Sulmet ndaj zonjës Harris që kanë në qendër Kaliforninë janë një politikë e pistë, thotë votuesi David Meraz.

“Ajo ka një histori jo vetëm si prokurore e San Françiskos dhe prokurore e përgjithshme e Kalifornisë, por edhe si drejtuese e legjislacionit brenda Senatit të shtetit. Ata nuk duan të flasin për të gjitha arritjet e saj në Kaliforni”.

Qëndrimi i zonjës Harris për kufizimin e armëmbajtjes në Kaliforni është arsyeja që Kyle Kelly e mbështet kandidatin Trump.

“Ajo është përpjekur për të kufizuar të drejtën për armëmbajtjen në Kaliforni duke imponuar rregulla dhe ligje të reja. Padyshim, unë kundër gjithçka që ajo ka miratuar”.

Artistja Lily Smalheiser thotë se qëndrimi i zonjës Harris për mbrojtjen e lirive individuale e bën atë kandidaten më të përshtatshme.

“Të drejtat riprodhuese janë shumë të rëndësishme. Zgjedhja e zonjës Harris në postin e presidentes do të jetë e mirë për të gjithë”.

Por votuesja Kathy Willmont thotë se zonja Harris dështoi në Kaliforni dhe Uashington lidhur me çështjen e imigracionit.

“Ajo supozohej të ishte përgjegjëse për sigurimin e kufirit tonë që në fillim të presidencës së zotit Biden, dhe nuk e di nëse ajo ka qenë ende në kufi”.

Kalifornia është një shtet solid demokrat. Demokratët pritet të fitojnë votën për president si dhe një vend bosh në Senatin amerikan. Mbetet për t’u parë se sa ndikim do të ketë tek votuesit në shtetet amerikane portretizimi i të kaluarës së kandidates Harris në Kaliforni nga të dy fushatat kundërshtare./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!