Informatori që denoncoi presidentin Trump dhe përpjekjet e tij për të fshehur telefonatën me homologun ukrainas është një oficer i CIA-s. Sipas mediave amerikane, vetë Trump është vënë në kërkim të identitetit të informatorit, të cilin e akuzon për tradhti.
Informatori, denoncimi i të cilit ka çuar në nisjen e procedurave të inkriminimit për presidentin amerikan Donald Trump është një oficer i CIA-s. Kështu shkruajnë mediat amerikane, sipas të cilave oficeri në fjalë dikur ka punuar në Shtëpinë e Bardhë. Informatori pretendon se zyrtarë të selisë presidenciale u përpoqën të fshihnin detajet e një bisede telefonike mes Trump dhe presidentit ukrainas. Vetë Trump është përpjekur të zbulojë informatorin, të cilin e ka cilësuar një “tradhtar”, si dhe burimin e tij. Në telefonatën e 25 korrikut, Trump i kërkoi homologut Zelenski të hetonte rivalin e tij politik Xho Bajden, që ka gjasa ta sfidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Denoncimi i publikuar të enjten thotë se transkriptimi i bisedës nuk u regjistrua në sistemin e zakonshëm kompjuterik, por në një sistem të veçantë të përdorur për informacione të klasifikuara. Inkriminimi është një proces politik me dy faza, rrallë herë i aplikuar, përmes të cilit një president mund të shkarkohet nga detyra për keqqeverisje. Por edhe nëse presidenti Trump inkriminohet nga Dhoma e Përfaqësuesve ka pak gjasa që ai të detyrohet të lërë Shtëpinë e Bardhë, pasi republikanët kontrollojnë Senatin. Sidoqoftë, që nga nisja e procedurave të inkriminimit nga demokratët, fushata e Trump për rizgjedhjen ka përjetuar një rritje të grumbullimit të fondeve, duke shkuar deri në 13 milionë dollarë. Por skandali i Ukrainës ka bërë gjithashtu që të rriten donacionet edhe për rivalin e tij Bajden. Stafi i tij bëri të ditur se ish-zëvendës presidenti kishte patur javën më të mirë të mbledhjes së fondeve që nga nisja e fushatës. /ABC news Albania 24/7