SHBA, burgu i Guantanamos do të qëndrojë i hapur edhe për 25 vite

schedule22:55 - 17 Tetor, 2018

schedule 22:55 - 17 Tetor, 2018

Burgu famëkeq i Guantanamos do të qëndrojë i hapur edhe për të paktën 25 vite të tjera. Kjo është bërë e ditur nga drejtuesi i këtij burgu, i cili njofton se urdhërin për këtë e ka marrë nga Pentagoni.

Do të qëndrojë hapur, “edhe për të paktën 25 vite të tjera” burgu i amerikan i Guantanamos në Kubë, të cilin presidenti Barack Obama kishte premtuar në 2009 se do ta mbyllte. Kjo është bërë e ditur nga Admirali John Ring, përgjegjës i strukturës së vuajtjes së dënimit, ku mbahen terroristë dhe të akuzuarit për atentatin në Kullat Binjake. Janarin e kaluar, presidenti Donald Trump, me një urdhër ekzekutiv anulloi premtimin e Obamës. Ring, gjatë një vizite të organizuar për gazetarët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara tha se ka marrë urdhërin e Pentagonit për të mbajtur hapur Guantanamon. Ndërkohë, dhjetorin e kaluar një ekspert i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Nils Melzer, njoftoi se torturat në Guantanamo kanë vijuar, të paktën kundër një të burgosuri, Ammar al-Baluchi, i cili bën pjesë ndër të dyshuarit e atentateve të 11 shtatorit./abcnews.al