Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken foli këtë të mërkurë me presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev, duke theksuar se “asgjë nuk justifikon një rritje të tensioneve kufitare” me Armeninë, sipas Departamentit të Shtetit.
Gjatë bisedës telefonike, Blinken theksoi se “asgjë nuk justifikon një rritje të tensioneve kufitare dhe paralajmëroi për rrezikun e veprimeve agresive dhe retorikës agresive nga njëra anë apo tjetra që minon perspektivat për paqe”, sipas një deklarate nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Shefi i diplomacisë amerikane ndodhet në Bruksel për takimin e NATO-s. Ai gjithashtu pritet të marrë pjesë në një takim trepalësh me kryeministrin armen Nikol Pashinyan dhe lidershipin e Bashkimit Evropian të premten.
Blinken kujtoi gjithashtu “se Azerbajxhani duhet të përmbushë detyrimet e tij dhe angazhimet ndërkombëtare në çështjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të njerëzve që janë ndaluar padrejtësisht“.
Në një deklaratë zyrtare për bisedën, Azerbajxhani tha se Aliyev “shpreh pakënaqësinë e tij për mungesën e transparencës dhe gjithëpërfshirjes” në lidhje me takimin trepalësh që Armenia pritet të ketë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian të premten.
Aliyev shprehu shqetësimet se rritja e mbështetjes së BE-së dhe SHBA-së për Armeninë, e kombinuar me shqetësimet e Bakut për mbështetjen e mundshme ushtarake për Jerevanin, mund të nxisin një garë armësh në rajon dhe potencialisht të çojë në provokime.
“Blinken e siguroi presidentin Aliyev se takimi i 5 prillit nuk është i drejtuar kundër Azerbajxhanit” dhe do të fokusohet në ekonominë e Armenisë, shtoi ai./abcnews.al