SHBA bën thirrje për reforma politike nga qeveria e re palestineze

schedule10:51 - 30 Mars, 2024

schedule 10:51 - 30 Mars, 2024

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re palestineze, duke sinjalizuar se mirëpret ndryshimin e kabinetit si një hap drejt reformës politike palestineze.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, bëri thirrje për “rigjallërimin” e Autoritetit Palestinez, me seli në Bregun e pushtuar Perëndimor, me shpresën se mund të administrojë edhe Rripin e Gazës kur të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Përmes një deklarate, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, tha se SHBA-ja mirëpret bashkëpunimin me grupin e ri të ministrave “për kryerjen e reformave të besueshme”.

“Një Autoritet Palestinez i rigjallëruar do të sillte rezultate për popullin palestinez si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Gazë dhe do të vendoste kushtet për stabilitet në rajonin më të gjerë”, tha Miller.

Autoriteti Palestinez administron pjesë të Bregut të pushtuar Perëndimor nga Izraeli. Ai udhëhiqet nga presidenti Mahmoud Abbas, i cili nuk është përballur me zgjedhje në pothuajse dy dekada.

SHBA e ka cilësuar Autoritetin Palestinez si pjesë kyçe e planeve të saj për Gazën pasluftës.

Një sfidë e madhe për Autoritetin Palestinez, nëse merr rolin e administrimit të Gazës, do të ishte rindërtimi i enklavës. Pothuajse gjashtë muaj luftë ka shkatërruar infrastrukturën kritike përfshirë spitalet, shkollat, shtëpitë, rrugët, sistemin e kanalizimit dhe rrjetin elektrik.

Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë shkaktuar më shumë se 32.000 palestinezë të vrarë.

Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra vuajnë nga uria.

Izraeli ka deklaruar se pas përfundimit të luftës, do të mbajë kontrollin në Gaza për një periudhë të pacaktuar kohore dhe do të bashkëpunojë me palestinezët që nuk kanë lidhje me Autoritetin Palestinez apo Hamasin.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!