SHBA, BE, Kanadaja dhe Britania sanksione kundër Minskut, në shënjestër njerëzit e Lukashenkos

schedule23:12 - 21 Qershor, 2021

schedule 23:12 - 21 Qershor, 2021

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe Kanadaja bashkuan forcat të hënën për të vënë sanksione ndaj disa zyrtarëve të lartë në Bjellorusi për devijimin nga itinerari të një avioni pasagjerësh që po udhëtonte në maj mes dy vendesh anëtare të BE-së.

Ngrirja e pasurive dhe ndalim-udhëtimet janë ndëshkime lidhur me reagimin e ashpër të autoriteteve bjelloruse për afro një vit që kur Presidenti Aleksander Lukashenko deklaroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të 2020, që BE dhe vende të tjera perëndimore i cilësuan të manipuluara.

“Jemi të bashkuar në shprehjen e shqetësimeve tona të thella lidhur me sulmet e vazhdueshme që ushtron regjimi i Lukashenkos mbi të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe ligjin ndërkombëtar,” thanë katër aktorët përmes një deklarate të përbashkët.

“Ne jemi të angazhuar të mbështesim aspiratat demokratike të popullit bjellorus dhe qëndrojmë të bashkuar në masat ndëshkuese ndaj këtij regjimi për mospërfillje të hapur ndaj përgjegjësive ndërkombëtare,” thuhej më tej në deklaratë.

BE ka veçuar shtatë individë dhe një entitet për “zbritje të detyruar dhe të paligjshme” të avionit të firmës Ryanair, i cili udhëtonte nga Greqia në Lituani, kur u urdhërua të zbriste në Minsk, siç u kuptua më pas me qëllim që autoritetet bjelloruse të arrestonin një nga pasagjerët — Raman Prataseviç, një gazetar që njihet për kritika ndaj autoriteteve të Minskut.

BE, SHBA, Britania dhe Kanadaja i bënë thirrje Minskut të bashkëpunojë me hetimet ndërkombëtare lidhur me këtë incident, të lirojë menjëherë të gjithë të burgosurit politikë dhe të “fillojë një dialog të gjerë dhe të pastër politik” me opozitën dhe shoqërinë civile.

Në shenjestër të Shteteve të Bashkuara janë bashkëpunëtorë të afërt të zotit Lukashenko, individë që akuzohen se kishin rol në shtypjen e egër të protestave paqësore vjet dhe të tjerë që lidhen me manipulimin e zgjedhjeve.

Ndërkaq, në takimin e tyre të hënën në Luksenburg, ministrat e jashtëm të BE-së përgatitën një seri masash ekonomike që synojnë të godasin zotin Lukashenko dhe aleatët e tij. Këto masa do të diskutohen nga udhëheqësit e BE-së në takimin e tyre të enjten në Bruksel.

BE-ja i ka forcuar sanksionet kundër Presidentit Lukashenko, i cilësuar si “diktatori i fundit i Evropës”, i cili në gusht 2020 deklaroi fitoren për një mandat të gjashtë si president.

Blloku me 27 anëtarë ka mbajtur një qëndrim edhe më të rreptë që nga incidenti me avionin e kompanisë Ryanair si dhe pas akuzave se Bjellorusia po shfrytëzon migrantët për t’i bërë presion Lituanisë, pasi në Lituani janë strehuar disa figura të njohura të opozitës bjelloruse.

Në përpjekje për të shtuar presionin ndaj Presidentit Aleksander Lukashenko lidhur me devijimin me forcë të avionit të firmës Ryanair, ministrat e jashtëm të BE-së miratuan të hënën sanksione individuale ndaj 76 shtetasve bjellorusë përfshirë ministrat e transportit dhe mbrojtjes. Masa të ngjashme u morën edhe ndaj tetë entiteteve shtetërore, thanë diplomatët./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!