SHBA, BE dhe 19 vende, mes tyre Shqipëria thirrje talebanëve: Respektoni të drejtat e grave

schedule19:16 - 18 Gusht, 2021

schedule 19:16 - 18 Gusht, 2021

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe 19 vende tjera, përshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët përmes së cilës u bëhet thirrje talebanëve që të respektojnë të drejtat dhe sigurinë e grave dhe vajzave afgane.

Këto vende shprehin shqetësimin e thellë për situatën në të cilën gjenden gratë dhe vajzat afgane, përkatësisht sa i takon të drejtave të tyre për arsimim, punën dhe lirinë e lëvizjes.

Deklarata u lëshua tre ditë pasi talebanët hynë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul dhe rrëzuan qeverinë e mbështetur nga Perëndimi.

“Atyre që janë në pushtet dhe autoriteteve në të gjithë Afganistanin ne u bëjmë thirrje të garantojnë mbrojtjen e tyre (grave dhe vajzave)”, thuhet në deklaratë.

Fuqitë e huaja po vëzhgojnë çdo veprim të talebanëve për të kuptuar nëse janë duke përmbushur premtimet dhe kanë lënë prapa praktikat e shkeljes brutale të të drejtave të njeriut.

Talebanët e sunduan Afganistanin midis viteve 1996 dhe 2001. Ata nuk i lejuan gratë të punonin, vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën dhe gratë duhej të mbulonin fytyrat dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, nëse donin të dilnin nga shtëpitë e tyre.

Të gjithë njerëzit afganë “meritojnë të jetojnë në siguri dhe dinjitet”, thuhet në deklaratën e përbashkët, në të cilën gjithashtu thuhet se “çdo formë diskriminimi duhet të parandalohet”.

Talebanët thanë më 17 gusht se ata duan paqe dhe një qeveri gjithëpërfshirëse-brenda vlerave të Islamit. Ata u zotuan se nuk do të hakmerreshin kundër kundërshtarëve dhe se do të respektonin të drejtat e grave brenda kornizës së ligjit islam./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!