SHBA/ Banorët e Floridës ikin për t’i shpëtuar uraganit Milton që po afrohet

schedule08:46 - 9 Tetor, 2024

schedule 08:46 - 9 Tetor, 2024

Banorëve të Floridës nuk u ka mbetur edhe shumë kohë për t’u evakuuar ose për t’u strehuar përpara se të godasë uragani Milton, që parashikohet të jetë një nga më shkatërruesit që ka goditur ndonjëherë bregun e Gjirit të Floridës.

Me më shumë se një milion banorë në zonat bregdetare nën urdhra për evakuim, ata që po largoheshin drejt zonave më të larta bllokuan autostradat dhe pikat e karburantit, në rajonin që ende po rimëkëmbet nga pasojat e uraganit Helene, më pak se dy javë më parë.

Stuhia parashikohet të godasë zonën metropolitane të Tampa Bay, ku jetojnë mbi tre milion njerëz, megjithëse parashikuesit thanë se rruga e saj mund të ndryshojë përpara se të prekë tokën në orët e vona të së mërkurës në mbrëmje ose herët të enjten në mëngjes, sipas kohës lokale.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kryetarja e Tampas, Jane Castor, paralajmëruan njerëzit në zonat e evakuimit që të largoheshin ose do ta rrezikonin vdekjen.