Shaqiri për duelin ndaj Bajernit: Emocion përballë së kaluarës time

schedule16:23 - 19 Shkurt, 2019

schedule 16:23 - 19 Shkurt, 2019

Dueli me Bajernin do të jetë tepër i veçantë për Xherdan Shaqirin. Shqiptari i Zvicrës luan sot ndaj ish-skuadrës me të cilën u bë i njohur në Europë.

Europa, por edhe gjithë bota, e njohu 8 vjet më parë. Xherdan Shaqiri tregoi talentin e tij në moshën 20-vjeçare, duke arritur në finalen e Europianit të 21-vjeçarëve, dhe kjo paraqitje i siguroi një klub të madh. Në verën e vitit 2012, shqiptari i Zvicrës kaloi tek Bajerni i Mynihut, një nga skuadrat kryesore të kontinentit.

Tifozet dhe tifozët ishin të lumtur duke e quajtur si pasardhësin e Arjen Robenit. Edhe në Gjermani, Shaqiri shkëlqeu, me golat dhe lojën e tij, por nuk mundi të siguronte formacionin, as me trajnerin Jup Hajnkes, as me Pep Guardiolën.

U detyrua të largohej nga Mynihu i tij i dashur, dhe u prit si një princ në Itali, kur u bashkua me Interin, por as në Serinë A, dhe as tek Stouk Siti në Angli, nuk mundi të gjente veten. Këtë e arriti vetëm verën e kaluar, kur Jurgen Klopi nuk ngurroi t’i jepte një fanelë të Liverpulit.

Pas 7 muajve, Shaqiri e ka kaluar provën me sukses, në ekipin nënkampion të Europës dhe kryesues të Premier Ligës. Papritur, fati i vuri përballë një sfidë krejt të veçantë, pikërisht atë me ish-Bajernin e tij në Champions, diçka që do të ndodhë sonte.

“Shaqiri kërkon fitore me Liverpulin kundër ish-klubit të tij, Bajernit”, shkruan “Gazeta Ekspres” e Kosovës.

Gjithsesi, shqiptari i Zvicrës vazhdon ta ketë në zemër skuadrën bavareze, duke theksuar se një ditë do të kthehej me kënaqësi për të luajtur aty.

I pyetur nga mediat angleze, Shaqiri deklaroi se ka kujtime të mëdha nga ajo kohë, dhe shton se një duel i tillë është shumë emocionues për të.

Kujtimi më i bukur, padyshim, është fitorja e Championsit në 2013, në finalen e madhe të “Uemblit” ndaj Dortmundit, një sukses që 27-vjeçari dëshiron ta arrijë edhe me Liverpulin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!