Shansi i fundit për të shpëtuar Alexey Navalny

schedule19:16 - 21 Prill, 2021

schedule 19:16 - 21 Prill, 2021

Nga Kenneth Roth, CNN

Verën e kaluar, lideri i opozitës ruse Alexey Navalny i mbijetoi me shumë fat një atentati, që besohet gjerësisht se ishte organizuar nga shërbimet ruse të sigurisë, përmes një helmimi me agjentin nervor “Novichok”.

Tani, pa veprime të bashkërenduara nga faktori ndërkombëtar, ai mund të vdesë për shkak të neglizhencës së mjekëve në një burg të sigurisë së lartë në Rusi, ku autoritetet e mbyllën pas një gjyqi farsë. Qëkur u denoncua sulmi me agjent, u supozua të ishte kryer me paramendim nga Moska.

 

Dhe nëse Navlany vdes tani në burg, faji do të bjerë pa dyshim mbi Kremlinit. Regjimi është përballur deri më tani me një sërë sanksionesh perëndimore, të vendosura pas veprimeve kriminale, duke nisur që nga helmimi me“Novichok” i Navalny dhe i një ish-agjenti të KGB-së në Britani, deri tek aneksimi i Krimesë nga Rusia, dhe sulmet e saj kibernetike ndaj bazave të të dhënave në SHBA.

Është logjike të pyetet se çfarë tjetër mund të bëhet në këtë moment për të siguruar që Navalny t’i mbijetojë burgimit të tij të padrejtë dhe të motivuar politikisht. Udhëheqësit perëndimorë, duhet t’ia bëjnë të qartë Vladimir Putinit se shëndeti dhe liria e Navalny do të jenë misioni i tyre personal, dhe se kjo çështje nuk do të lihet asnjëherë pas dore, derisa lideri opozitar të dalë nga portat e burgut.

Nuk është e vështirë të kuptohet se pse autoritetet ruse, nuk kursejnë tani asnjë përpjekje për ta bërë Navalny dhe mbështetësit e tij, të besojnë se kundërshtimi i tyre politik është i kotë, dhe t’i detyrojnë ata të paguajnë një çmim shumë të lartë për aktivizmin e tyre.

Dikur thuhej se mbështetja për Navalny nuk shtrihej më tej sesa inteligjenca e Moskës dhe Shën Petersburgut. Por ai ka arritur të fitojë tani mbështetës në të gjithë vendin. Në fakt, ishte pikërisht gjatë kohës që po vizitonte mbështetësit në Siberinë e largët kur Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), pasardhësja kryesore e KGB, u përpoq që ta vriste.

Gjithashtu,ai mësoi të luftojë edhe brenda demokracisë së simuluar të Kremlinit. Kremlini shpresonte që të vazhdonte përpara me një fasadë partish “opozitare” të squllura pro-Kremlinit, ndërsa të ndalonte partinë e Navalny dhe të pengonte të tjerët si ai.

Navalny ia doli që ta shmangë edhe këtë pengesë duke i inkurajuar njerëzit, përmes fushatës së “Votimit të zgjuar”, që të votojnë për kandidatët nga këto parti pseudo-opozitare, në vend të kandidatëve nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar.

Për shumë vite, Kremlini është përpjekur që ta menaxhojë informacionin dhe të manipulojë situatën duke kontrolluar televizionet dhe mediat e tjera kryesore. Navalny i anashkaloi ata duke prodhuar dokumentarë të shkëlqyer dhe duke i postuar në YouTube.

Dokumentari i tij më i fundit “Pallati i Putinit”, pretendon se me paratë e korrupsionit oligarkët kanë ndërtuar një pallat luksoz për presidentin Vladimir Putin. Ndërsa ky i fundit e mohon të jetë “pronari” i çdo pallati, videoja është parë mbi 100 milion herë.

Burgosja e Navalny nga autoritetet ruse vetëm sa e ka rritur profilin e tij. Tani nga qelia e tij e burgut, ai ka demaskuar refuzimin e Kremlinit për t’i lejuar atij një mjek të pavarur, të cilit mund t’i besojë për atë që duket të jetë një kombinim i një sëmundje të frymëmarrjes së pa diagnostikuar dhe një dhimbjeje serioze në shpinë.

Greva3-javore e urisë e ka çuar atë në një gjendje të  rënduar shëndetësore, dhe mjekët thonë se ai është shumë pranë pragut të vdekjes. Një nga mjekët tha se testet e gjakut që ai mori nga familja e Navalny treguan nivele të larta të kaliumit, të cilat mund të çojnë në arrest kardiak, si dhe shenja të dëmtimit të rëndë të veshkave.

Ambasadori rus në Britaninë e Madhe, ka thënë se Navalny “nuk do të lejohet të vdesë në burg”, por ai nuk premtoi se Kremlini do t’i lejojë atij kujdesin e pavarur mjekësor që i nevojitet. Këtë nuk e siguron as zhvendosja e Navalny në spitalin e një burgu tjetër. Atëherë, çfarë mund të bëjnë qeveritë perëndimore për të parandaluar Kremlinin që të mos e vrasë këtë  udhëheqës shumë efektiv të opozitës ruse? Deri tani, Shtëpia e Bardhë e ka kërcënuar Putinin me “pasoja” të paspecifikuara nëse vdes Navalny, ndërsa Bashkimi Evropian ka bërë një deklaratë të ashpër kundër Moskës.

Qeveritë duhet të deklarojnë pa asnjë mëdyshje, se fati i Navalny është në duart e Kremlinit – se ky i fundit mban një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për shëndetin dhe jetën e tij. Ato duhet t’i japin fund përpjekjeve të autoriteteve ruse për ta trajtuar çështjen e Navalny sikur ai të ishte një i burgosur i zakonshëm.

Pjesa më e madhe e mbështetjes në rritje ndaj Navalny, qëndron në aftësinë e tij për të zbuluar prova që nxjerrin në pah korrupsionin zyrtar, që ka pasuruar shumë oligarkët rreth Putinit. Agjencitë e inteligjencës perëndimore, kanë padyshim informacione shumë më të hollësishme mbi pasurinë e oligarkëve dhe zyrtarëve të lartë të favorizuar nga Kremlini. Qeveritë perëndimore mund të sinjalizojnë se nëse diçka i ndodh Navalny, ato do të fillojnë që ta bëjnë publike këtë informacion. Ndërsa shëndeti i Navalny po degradon me shpejtësi pas hekurave të burgut, në rrezik mund të jetë edhe liria e mbështetësve të tij.

Të premten, zyra e prokurorit të Moskës i kërkoi gjykatës shpalljen “esktremiste” të 3 organizatave të lidhura me të:Fondacionit Kundër Korrupsionit (FBK), Fondacionit për Mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarëve dhe “Selia e Navalny”. Kjo lëvizje mund të çojë në nxjerrjen jashtë ligjit të tre grupimeve, duke i vendosur anëtarët dhe mbështetësit e tyre në të gjithë vendin në një rrezik të madh personal, përfshirë ndjekjen penale.

Kjo lëvizje më e gjë rë ka nevojë për mbrojtjen e Perëndimit. Me të njëjtin argument, mbështetja për Navalny është rritur edhe për shkak të zhgënjimit në rritje të publikut ndaj një qeverie që duket se po i shërben mirë njerëzve pranë Putinit, por që i ka lënë shumicën e rusëve të lëngojnë në kushtet e një ekonomie me rritje të ngadaltë, me një ngecje në vend të fuqisë blerëse dhe me perspektiva të zvogëluara.

Qeveritë perëndimore duhet të nxjerrin më në pah se janë zgjedhjet ekonomike të Kremlinit arsyeja e atij mjerimi. Kremlini vazhdon të pretendojë  së Rusia është një demokraci. Udhëheqësit perëndimorë duhet ta demaskojnë pavërtetësinë e këtij pretendimi.

Grumbulli i ligjeve i miratuar nga parlamenti këtë dimër e ka dëmtuar edhe atë pak demokraci që ekzistonte në vend, duke etiketuar si një “agjent të huaj” gati këdo që kritikon publikisht qeverinë. Logjika është e tillë:nëse je kritik ndaj qeverisë, duhet të jesh i huaj, dhe nëse je i huaj, je armik. Sipas një ligji të vitit 2014 , nëse shpalleni fajtor më shumë se dy herë në një periudhë 180 ditore për pjesëmarrje në protesta“të paligjshme”, ju mund të përfundoni në burg.

Me pak fjalë, ideja e Kremlinit për “demokracinë”, është ajo në të cilën zërat e opozitës nuk dëgjohen, dhe ku anëtarët e opozitës nuk janë në gjendje të mblidhen apo të protestojnë. Por kjo nuk është demokraci, por një regjim autoritar. Udhëheqësit perëndimorë duhet ta thonë këtë me zë të lartë.

Kremlini mund të shpresojë ta pengojë lëvizjen pro-demokracisë, duke ia prerë “kokën”. Perëndimi duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar Navalny. Por udhëheqësit perëndimorë duhet të denoncojnë gjithashtu të gjitha hapat e ndërmarra për të shtypur lëvizjen e tij dhe për të shkatërruar demokracinë në Rusi. Ne vetëm mund të shpresojmë se kjo do të jetë e mjaftueshme për ta shpëtuar Alexei Navalny. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al