Shakaja e Presidentit çek: Do të ftoja të gjithë gazetarët në Ambasadën Saudite

schedule12:53 - 25 Tetor, 2018

schedule 12:53 - 25 Tetor, 2018

Një shaka pa kripë e presidentit Zeman ka shkaktuar polemika në Republikën Çeke. Kreu i shtetit në një batutë të frikshme për vrasjen e gazetarit Khashoggi, tha se do t’i pëlqente t’i ftonte të gjithë gazetarët në ambasadën Saudite.   

Batutë e frikshme dhe makabre, ajo e presidentit kontravers çek, Millosh Zeman për vrasjen e gazetarit kritik saudit Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll. Në një event Zeman u shpreh: “Pashë në internet një shaka të mirë për mua, foton time me flluskën e mendimit që më bën të them se i dua të gjithë gazetarët, kështu që ndoshta unë me kënaqësi do t’i ftoj të gjithë për darkë në ambasadën e Arabisë Saudite”.

Nuk është hera e parë që Zeman – i akuzuar nga zërat kritikë në Republikën Çeke dhe në të gjithë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, për tonet e tij autoritare, populiste dhe ksenofobe, për dashurinë e tij të madhe për Kremlinin – shprehet me fraza të frikshme rreth mediave dhe sa liri duhet të kenë. Në një rast në konferencë të përbashkët shtypi me presidentin rus Vladimir Putin, Zeman tha: “Ka kaq shumë gazetarë sa që duhet të eleminojmë dikënd”. Në raste të tjera, në takimet me mediat, pyetjeve të çuditshme u përgjigjej duke treguar një kallashnikov prej druri.

Shakaja e Zeman mbi Khashoggi-n nuk i ka pëlqyer opozitës çeke. Sipas eurodeputetit Pavel Teliçka, frazat e presidentit janë “një turp për vendin”. Ndërsa lideri i opozitës konservatore thotë se për Zeman nuk ka asgjë të shenjtë, “as vdekja e një të pafajshmi të vrarë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!