SFPSH i drejtohet klubeve shqiptare: Nuk ka kompromis, po kryeni vepër penale!

schedule14:57 - 27 Qershor, 2020

schedule 14:57 - 27 Qershor, 2020

Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të futbollistëve shqiptarë, janë një temë që ka sjellë reagimin e Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë. Me anë të një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, SFPSH i kërkon organeve tatimore të bëjnë kontrolle te klubet.

Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, gjatë përgatitjes së dokumentacionit të futbollistëve për në DhKZK, është vënë në dijeni të shkeljeve të rënda ligjore që klubet e futbollit kryejnë në dëm të interesave të ligjshme të futbollistëve.

Konkretisht edhe sot ka klube që nuk kanë paguar kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore të futbollistëve. Të ndodhur përpara kësaj situate, Sindikata i kërkon organeve tatimore që të ushtrojnë kontrolle në klubet e futbollit për të verifikuar përmbushjen e detyrimit ligjor të këtyre klubeve ndaj punëmarrësve dhe futbollistëve.

Klubeve të futbollit ju bëjmë me dije se mospagimi i kontributeve të sigurimeve të futbollistëve përben vepër penale që parashikohet nga neni 170/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa mos verifikimi i kësaj situate nga organet tatimore, do të ngarkojë me përgjegjësi penale këta të fundit. Sindikata as nuk ka heshtur dhe as nuk do të heshtë përpara këtyre shkeljeve të të drejtave të ligjshme të futbollistëve, pasi ky është misioni jonë për të cilin jemi krijuar.

Sigurisht që këtë problem ne do ta ndjekim me përparësi dhe pasi të marrim një informacion më të saktë nga të gjithë futbollistët për të gjithë klubet e futbollit të Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë, do të ndërmarrim hapa ligjorë konkret, duke kallëzuar penalisht çdo shkelës ligji.

Të gjithë duhet ta kuptojnë se për futbollistët vitet e karrierës në futboll nuk janë vite të çuara dëm, por vite jete dhe të cilat duhet të llogariten si vite PUNE mbi bazën e te cilave llogaritet edhe pensioni. Për këtë arsye, në këtë pikë lufta jonë sindikale është pa kompromis“, lexohet në komunikatën e SFPSH. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!