Sfidat financiare të kryebashkiakëve/ Ulja e borxhit dhe investimet e reja

schedule14:48 - 16 Maj, 2023

schedule 14:48 - 16 Maj, 2023

Menaxhimi i financave të bashkive është sfida kryesore për kryetarët e rinj tw 61 bashkive të vendit. Me gjithë përmirësimin vitet e fundit, situata financiare për disa nga bashkitë mbetet problematike veçanërisht për ato që përballen edhe me nivelin më të lartë të detyrimeve të prapambetura.

Përgjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Financave stoku i detyrimeve të pashlyera të pushtetit vendor arriti në rreth 6 miliardë lekë, ku Tirana ka edhe nivelin më të lartë me 1.1 miliardë lekë.

Pas saj vijnë Kavaja dhe Vora që janë edhe dy bashkitë më në vështirësi financiare, përkatësisht me një stok prej 837 mln lekë dhe 413 milionë lekë. Një stok të konsiderueshëm të borxheve të pashlyera kanë edhe bashkitë e Dibrës, Kamzës, Pustecit, Dimalit, etj.

Vitin e kaluar kryeministri Rama në një mbledhje me kryebashkiakët e vendit dha ultimatum që kush nuk ndryshon situatën financiare nuk do të tolerohet. Ai paralajmëroi se qeveria do të marrë nën administrim bashkitë që nuk arrijnë të krijojnë një stabilitet financiar, duke vendosur në krye të tyre një administrator.

Me qëllim reduktimin dhe zerimin e këtyre borxheve të vjetra e të krijuara rishtazi nga bashkitë kryesisht për detyrime të pashlyera për investime, shpenzime të tjera apo për vendime gjyqësore si largimet e padrejta nga puna Financat kanë propozuar edhe ndryshimin e ligjit për bashkitë.

Në draftin e hedhur për konsultim publik propozohen një sërë ndërhyrjesh. Fondet e papërdorura nga viti i mëparshëm, jo më pak se 30% e tyre të shkojnë për shlyerjen e pagesave të detyrime të prapambetura, që do të bëhet me udhëzim të posaccëm nga Financat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!