Sfida ndaj City, Ancelotti: Kjo ndeshje ishte një reklamë për futbollin

schedule12:07 - 10 Prill, 2024

schedule 12:07 - 10 Prill, 2024

E cilësuar si një finale e parakohshme Real Madrid-Manchester City rezultoi e tillë edhe në aktin e parë çerekfinal të Ligës ss Kampionëve.

Në një “Santiago Bernabeu” që zjente edhe për shkak të mbylljes së çatisë portative, dy skuadrat dhuruan plot 6 gola, ritëm të jashtëzakonshëm dhe shumë spektakël.

E thekson këtë edhe tekniku i “Los Blancos”, italiani Carlo Ancelotti, i cili nuk ngurron ta cilësojë përballjen mes Realit dhe Man. Cityt si një reklamë për futbollin.

“Kjo ndeshje ishte një spot për futbollin dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, duke parë cilësinë e skuadrave në fushën e lojës. Ishte një ndeshje shumë intensive, të cilën e patëm nën kontroll për aq kohë sa ia dolëm të ruajmë ritmin. Më pas u tërhoqëm disi, por luajtëm si të barabartë me City-n dhe jemi besimplotë për ndeshjen e kthimit”, tha Ancelotti.
Trajneri italian i madrilenëve zbulon edhe pishmanin e vetëm nga ky takim dhe nuk ngurron të thumbojë edhe arbitrin e ndeshjes.

“E vetmja keqardhje është që kishim 2-3 raste për të shënuar golin e 3-1 dhe nuk ia dolëm. Arbitri nuk ishte në nivelin e skuadrave në fushë. Mundohej të linte vazhdimin e lojës, por kishte mungesë eksperience dhe dukej qartë”, tha Ancelotti.

Sfida e kthimit mes Manchester City-t dhe Realit të Madridit do të luhet të mërkurën e 17 prillit dhe do të përcaktohet edhe skuadra që do të kualifikohet në gjysmëfinale./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!