Sezoni i shirave si çdo vit ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje toke në mbarë Azinë Jugore. Më të prekurat rezultojnë India dhe Nepali, ku janë regjistruar edhe disa dhjetëra viktima.
Persona të shumtë kanë humbur jetën teksa përmbytjet e shkaktuara nga sezoni i shirave vërshuan në Nepal dhe veri-lindje të Indisë. Sipas mediave ndërkombëtare, të paktën 43 persona mbetën të vrarë vetëm në Nepal si pasojë e shirave të dendura, përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës, ndërkohë që mbi 20 të tjerë konsiderohen të humbur.
Në tërësi, shirat dhe rritja e nivelit të ujërave kanë prekur mbi 1 milion persona dhe meteorologët parashikojnë që reshje më të dendura të ketë në ditët në vijim, si pasojë e sezonit. Në mbarë Nepalin policia ka shpëtuar mbi 1 mijë e 100 persona.
Mes viktimave është edhe një familje prej 3 anëtarësh, që humbën jetën kur një pjesë e shtëpisë së tyre u shemb në kryeqytetin Katmandu. Ndërkohë, lumi Brahmaputra, që përshkon Indinë, Bangladeshin dhe Kinën ka dalë nga shtrati duke përmbytur mbi 1.800 fshatra në shtetin Asam, në verilindje të Indisë.
“10 persona kanë humbur jetën në incidente të ndryshme në tre ditët e fundit dhe mbi 1 milion të tjerë janë prekur nga përmbytjet”, thuhet në një buletin të qeverisë, të cilit i referohet agjencia “Reuters”.
Sipas autoriteteve, situata mbetet jashtëzakonisht kritike. Sezoni i shirave verifikohet çdo vit nga Qershori në Shtator dhe shkakton katastrofa në mbarë Azinë Jugore. Vitin e kaluar mbi 1 mijë e 200 persona humbën jetën në rajon si pasojë e stuhive dhe rrëshqitjeve të tokës./ABC News Albania 24/7