Sezoni i Sadikut me Malagan, vetëm 5 gola larg rekordit fantastik!

schedule17:56 - 25 Prill, 2020

schedule 17:56 - 25 Prill, 2020

Armando Sadiku po bënte një sezon shumë të mirë me Malagan në La Liga 2, para se kampionati të ndërpritej për shkak të pandemisë Koronavirus. Sulmuesi kuqezi ka shënuar 10 gola deri më tani në kampionatin spanjoll, duke qenë golashënuesi më i mirë i Malaga.

Faqja zyrtare e klubit spanjoll, ka bërë një analizë të sezonit të deritanishëm të Sadikut, duke inkurajuar në një farë mënyre dhe sulmuesin kuqezi që të thyejë një rekord sa i takon shënimit të golave.

Sadikut i duhen dhe 5 gola që të arrijë në kuotën e 15 rrjetave në kampionat, duke u bërë golashënuesi më i mirë gjatë një sezoni në historinë e klubit. Aktualisht, para Sadikut qëndrojnë Rondon me 11 gola (2010/11 dhe 2011/12), Charles me 11 gola (2014/15) dhe Sandro me 14 gola (2016/17).

Bomberi kuqezi e ka shprehur shpeshherë dëshirën e tij për të qëndruar te Malaga edhe kur huazimi i tij nga Levante të mbarojë, pasi te klubit bardheblu, ka gjetur formën e tij më të mirë. Në La Liga 2, luhen 42 javë kampionat dhe deri më tani, janë luajtur 31.

Në rast se sezoni rifillon, Sadiku ka dhe 11 ndeshje në dispozicion për të shënuar 5 gola, për t’u bërë golashënuesi më i mirë i një edicioni futbollistik në historinë e Malagas. Me formën që po kalonte, ky rekord duket më se i arritshëm për 28 vjeçarin nga Elbasani./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!