Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka marrë pjesë në mbledhjen e Task-Forcës së Turizmit në Golem.
Në këtë takim Klosi u shpreh se shpreh se këtë vit do të kemi një sezon “covid free” dhe më shumë siguri, ndërsa theksoi se sistemi i aplikimit për operatorët turistikë që duan të posedojnë një stacion plazhi është i hapur.
“Megjithatë them që edhe përse po shkojmë mirë me vaksinimin, na duhet që së bashku ekspertët e dy institucioneve tona t’i paraqisin Komitetit të Ekspertëve një protokoll të caktuar edhe për vitin 2021, pasi përsëri do të duhet të kemi disa rregulla në zbatimin e këtij sezoni ashtu siç në fakt kishim edhe në vitin e kaluar por pa dyshim ia dolëm që të ishim një sezon i kontrolluar nga pikëpamja e pandemisë”, u shpreh Klosi.
Më tej ai theksoi se si pasojë e pandemisë, turizmi do të ketë rregulla sigurie për jetën në plazhe, sigurimin e rendit, nivelin e zhurmave, muzikës, duke u shprehur se për çdo pushues vendas dhe të huaj do të garantohet komoditet.
“Sot deklaroj publikisht nga ky takim i Task-Forcës që hapet sistemi i aplikimit për operatorët turistikë që duan të posedojnë një stacion plazhi. Parimet do të jenë të njëjta si në vitin 2020. Mund të them me plot gojën që ia dolëm të kishim një sistem shumë efikas, nëpërmjet platformës sonë tashmë publike dhe shumë transparente e-albania. Edhe sezoni turistik 2021 do të ketë një protokoll sa i takon masave anticovid, për të pasur një situatë të kontrolluar të COVID-19 gjatë sezonit turistik”, shtoi më tej Klosi.
Nga ana tjetër, Ministrja Manastirliu u shpreh se brenda muajit maj do të përfundojë vaksinimi i të gjithë punonjësve të strukturave akomoduese, për të lehtësuar sezonin turistik.
/abcnews.al/