Sezon skandalesh në futbolli turk, Federata paralajmëron për zgjedhje të reja brenda 18 qershorit

schedule19:56 - 8 Prill, 2024

schedule 19:56 - 8 Prill, 2024

E keqja nuk paska fund. Ky vit futbolli nuk do të harrohet kurrë në Turqi, pasi nuk besohet se ka pasur ndonjëherë kaq shumë skandale. Goditja e fundit e një sezoni prej ferri ndodhi në atë që duhej të ishte një kulm, në finalen e Kupës. Imazhi I ndeshjes për trofe ishte njollosur pa nisur ende pasi Fenerbahce kishte vendosur të paraqitej në fushë me skuadrën e të rinjve.

Përballë ekipit U19, për “Luanët” e Galatasaray shënoi “bomberi” argjentinas, Mauro Icardi, pas vetëm 29 sekondash lojë. U kuptua se nuk do të kishte histori, por ndoshta askush nuk e mendonte që gjithçka do të përfundonte për dy minuta, me drejtuesit e Fenerbahce, që tërhoqën ekipin nga fusha, në mes të vërshëllimave e britmave të tifozëve.

Klubi nga Stambolli kishte dalë që përpara finales me një deklaratë zyrtare ku theksonte se qendrimi i tij do të ishte i njëjtë “dje, sot, dhe nesër”, teksa menjëherë pas ndeshjes, Presidenti i klubit, Ali Koç deklaroi përpara kamerave se do të vazhdojë protestën për sjelljen e Federatës dhe për vendimet e arbitrave.

“Një faqe e turpshme në historinë e futbollit turk”,- është një titull i të përditshmes sportive “Fanatik”. Natyrisht, I jashtëzakonshëm edhe reagimi i mediave ndërkombëtare si në Britaninë e Madhe, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali apo deri edhe në SHBA, që theksuan momentin tepër të vështirë të futbollit turk.

Skandalet këtë vit kanë qenë të shumta dhe patën një moment të rëndë kur një arbitër u godit me grusht nga një president klubi pas ndeshjes së Superligës. Nën presion të jashtëzakonshëm, Federata Turke njofton se do të mbajë Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore në 18 qershor, pra drejtuesit e tanishëm kanë kapitulluar përpara situatës.

Megjithatë, ndyrshe nga “Fenerët e Verdhë”, klubi tjetër i madh i Stambollit, Besiktas, ka dalë kundër këtij vendimi, duke akuzuar se 18 qershori është shumë vonë dhe se futbolli turk nuk ka asnjë ditë për të humbur. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!