Seuli: Pheniani ka dërguar në Moskë mbi një milion predha artilerie

schedule18:00 - 1 Nëntor, 2023

schedule 18:00 - 1 Nëntor, 2023

Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me më shumë se një milion predha artilerie për operacionet e saj ushtarake në Ukrainë dhe, në këmbim, Pheniani ka marrë këshilla teknike për satelitët e saj, pohoi sot një ligjvënës koreano-jugor, duke cituar shërbimet e inteligjencës së Seulit.

Pheniani dhe Moska, dy aleatë historikë, janë subjekt i një sërë sanksionesh ndërkombëtare, Rusia për sulmin e saj ndaj Ukrainës dhe Koreja e Veriut për testet e saj të armëve bërthamore.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan në shtator në Lindjen e Largët Ruse dhe Uashingtoni tha muajin e kaluar se Pheniani kishte filluar të furnizonte Moskën me armë.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut (NIS) u tha ligjvënësve gjatë një takimi me dyer të mbyllura sot se Koreja e Veriut ka bërë të paktën dhjetë transferta armësh në Rusi që nga gushti.

“NIS ka mësuar se më shumë se një milion predha artilerie janë transportuar,” u tha ligjvënësi Yoo Sang-bum gazetarëve pas takimit.

“Sipas analizave, këto duhet të jenë të mjaftueshme për rreth dy muaj luftë midis Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi Yu.

Në këmbim, Pheniani duket se ka marrë këshilla teknike nga Moska për planet e saj për të nisur një satelit spiun ushtarak, tha ai.

Koreja e Veriut ka dështuar dy herë kohët e fundit të lëshojë një satelit spiun ushtarak në orbitë.

Pas përpjekjes së dytë të dështuar në gusht, ai njoftoi një lëshim të tretë në tetor, i cili nuk u zhvillua.

Sipas deputetit, “ndonëse data e nisjes së tetorit është shtyrë, përgatitjet përfundimtare, si inspektimi i motorit dhe i platformës së lëshimit, janë në ecje të plotë”.

Koreja e Veriut është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për të lëshuar një satelit spiun dhe shanset që përpjekja e tretë të jetë e suksesshme janë të larta, njoftoi sot agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar agjencinë e inteligjencës së Koresë së Jugut.

Në mesin e tetorit, Uashingtoni pretendoi se Pheniani kishte dorëzuar “më shumë se një mijë kontejnerë” me pajisje ushtarake dhe municione në Rusi në javët e fundit.

Javën e kaluar, Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara “dënuan fuqishëm” furnizimin me armë për Moskën, duke thënë se Pheniani kishte bërë tashmë “disa” dërgesa.

Gjatë vizitës së tij në Rusi dhe bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin në shtator, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un tha se lidhjet dypalëshe me Moskën janë “përparësia numër një” e Phenianit.

Kremlini nuk ka komentuar mbi raportet për dërgesat e armëve nga Koreja e Veriut në Rusi.

“Ka shumë raporte të tilla, të gjitha, si rregull, të pabazuara. Koreja e Veriut është fqinji ynë. Ne po zhvillojmë dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona në të gjitha fushat”, tha javën e kaluar zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!