Seuli ka thënë të martën se Koreja Veriore ka lëshuar dy raketa balistike me rreze të shkurtër, çka përbën lansimin e dytë të tillë nga Pheniani në tri ditë. Këto lansime përkojnë me kohën kur Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur stërvitjet më të mëdha ushtarake në pesë vjetët e fundit.
Stërvitjet kanë nisur të hënën dhe do të zgjasin 10 ditë, shkruan REL.
Uashingtoni dhe Seuli kanë rritur bashkëpunimin në mbrojtje, pas rritjes së kërcënimeve ushtarake dhe atyre bërthamore nga Koreja Veriore, e cila ka testuar një seri të armëve të ndaluara në muajt e fundit.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugkoreane ka thënë se raketat kanë fluturuar rreth 620 kilometra.
“Ushtria jonë e ka rritur vëzhgimin dhe vigjilencën, në përgatitje e sipër për lansime tjera”, kanë thënë zyrtarë ushtarakë.
Zëdhënësi i Qeverisë japoneze, Hirokazu Matsuno, ka thënë se raketat nuk kanë prekur ujërat e Japonisë, ndonëse Tokio dyshon që Koreja Veriore mund të kryejë “hapa tjerë provokativë”./abcnews.al