Sërish urdhër arresti për gazetarin turk Ahmet Altan, u lirua një javë më parë nga burgu

schedule12:05 - 13 Nëntor, 2019

schedule 12:05 - 13 Nëntor, 2019

Vetëm një javë më parë gazetari dhe shkrimtari turk Ahmet Altan u lirua nga burgu ku vuajti tri vjet me akuzën se kishte mbështetur përpjekjen e dështuar për grusht shteti në 2016-ën. Tashmë gjykata ka lëshuar sërish një urdhër arresti me po të njëjtën akuzë

Një gjykatë në Stamboll ka lëshuar një urdhër të ri arresti për Ahmet Altan, gazetarin dhe shkrimtarin e njohur turk, i cili u lirua vetëm një javë më parë pasi vuajti tri vjet burg me akuzën se kishte mbështetur përpjekjen e dështuar për grusht shteti në vitin 2016. Gjykatësit pranuan kërkesën e prokurorit të përgjithshëm kundër lirimit të tij. Lajmi është konfirmuar nga agjencia turke e lajmeve Anadoll. Urdhër arresti nuk është ekzekutuar ende, por mediat turke raportojnë se ai mund të arrestohet brenda pak orësh.

Gazetari 69 vjeçar, një prej intelektualëve me me influencë në Turqi, u la i lirë së bashku me një tjetër reportere veteran Nazëll Iliçak. Një gjykatë apeli në Stamboll i kishte dënuar me 10 vjet e gjysëm, dhe me 8 vjet e 9 muaj burg me akuzën se kishin përcjellë mesazhe pro Fetullah Gulen gjatë një emisioni televiziv.

Por gjykata më pas pranoi t’i lirojë por nën kontroll gjyqësor dhe pa të drejtën për t’u larguar nga vendi, pas tri vitesh burg. E njëjta gjykatë më parë kishte refuzuar kërkesën e prokurorit për të dënuar me burgim të përjetshëm të dy gazetarët. Pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti, në Turqi janë kryer me mijëra arrestime dhe po aq pushime nga puna në administratën publike. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!