Serie A, “të mëdhenjtë” bëjnë ligjin/ Pano: Inter e kishte më të vështirë fitoren. Tahiri: Lajmi i mirë është zhbllokimi i Lautaro

schedule22:16 - 29 Shtator, 2024

schedule 22:16 - 29 Shtator, 2024

Ishin padyshim fitore të mëdha për pretendentët kryesorë të titullit.

Milan, Inter e Juventus arritën të siguronin tre pikët në javën e gjashtë të Serie A, me “gjigantët” e futbollit italianë që fituan respektivisht 3-0, 3-2 e 3-0, ndaj Leçe, Udinese e Genoa.

Për performancat e këtyre skuadrave e fol edhe në studion e “E Diela Sprint”, nga gazetari Maks Tashi, në ABC News, ku të ftuar ishin trajnerët Ledjo Pano, Ermal Tahiri, Ardjan Mema dhe gazetari Nertan Prifti.

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, tashmë trajner Ledjo Pano e konsideroi fitoren e “Zikaltërve”, si më të vështirën për t’u arrirë mes tre të mëdha, teksa shtoi se një lajm tjetër i mirë janë rikthimet e Lautaro Martinez dhe Dusan Vlahovic.

Në krahun tjetër, trajneri Ermal Tahiri vlerësoi preformancat e sulmuesit të Milan, Alvaro Morata, ku theksoi se një ndikim të madh kanë edhe skemat e Fonseca, ndërsa për Inter, ashtu si Pano vuri në dukje zhbllokimin me dy gola të kapitenit argjentinas të “Zikaltërve”.

Ledjo Pano: Besoj se nga të gjitha këto ekipe Inter e kishte pak më të vështirë, pasi Udinese kishte bërë mirë javët e para dhe u kjo u pa edhe në fushë, por pas humbjes ndaj Milan, një javë më parë duhet të bënin kthesën. Një plus ishte edhe zhbllokimi i Lautaro Martinez. Një tjetër lojtar që kërkonte golin ishte edhe Vlahovic, që ia doli.

Milan me atë fitoren e shpejtë tregoi se e ka mendjen te Champions, Fonseca është në rregull, kushdo trajner që do të vijë të njëjtën gjë do të bëjë me këtë grup lojtarësh. I vetmi që luan maksimalisht është Pulisic dhe asnjë lojtar nuk luan me shpirt.

Ermal Tahiri: Alvaro Morata është kampion evrope, një lojtar i mirë që di të bëjë edhe pykën edhe pjesën pas pykës, pastaj si përshtatet me të tjerët ajo është pjesë e trajnerit, i cili njihet për përshtatjet e tij taktike.

Sa i përket Inter, pavarësisht humbjes me Milan kjo nuk do të thotë se nuk kanë cilësi. Futbolli këtë ka ulje dhe ngritjet e tij. Kryesorja është të rikuperosh dhe një lajm i mirë është edhe zhbllokimi i Lautaro Martinez. Të pësosh dy gola nga Milan dhe dy gola nga Udinese nuk është e lehtë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!