Numri i jetëve të humbura në Itali nga koronavirusi ka filluar të ulet dhe të gjithë shpresojnë që ky makth të marrë fund sa më shpejt. Kryeministri Conte deklaroi ditën e djeshme se skuadrat do të rikthehen në stërvitje në datë 4 maj.
Një stërvitje ndryshe dhe e ndarë në grupë, ndërsa në 18 maj seancat stërvitore do të jenë të plota. Një lajm që ka rritur entuziazmin e tifozëve të futbollit. Rreth situatës së krijuar ka reaguar për Rai 2 edhe Vincenzo Spadafora, Ministri i Sporteve.
“Liga italiane e futbollit po na bën presion, por nuk kemi garantuar ende një datë për rifillimin e futbollit. Nuk jemi ende në gjendje për të marrë një vendim të tillë. Anëtarët e komitetit tekniko-shkencor e konsiderojnë të pamjaftueshëm protokollin mjekësor të skuadrave të Serie A.
Nevojiten informacione të mëtejshme, që do të bëhen në ditët e ardhshme. Por imagjinoni nëse dua të bojkotoj kampionatin e futbollit. Holanda e mbylli sezonin, Spanja nuk e di akoma se çfarë do të bëjë, është një situatë e komplikuar”, deklaron Spadafora. /abcnews.al