Serie A ndan çmimet: Një kampion më i miri i sezonit, CR7 ylli i sulmit

schedule18:17 - 31 Maj, 2021

schedule 18:17 - 31 Maj, 2021

Interi dominoi futbollin italian sezonin që lamë pas, u shpall skuadra kampione dhe riktheu trofeun e madh pas 11 vitesh në Milanon zikaltër. Serie A ka zgjedhur ditën e sotme lojtarët më të mirë të sezonit.

Në portë Gigio Donnarumma i Milanit, që sezonin e ardhshëm do e shohim mes shtyllave të një skuadre tjetër. Titullari i kombëtares italiane mbajti në 14 ndeshje portën e paprekur, teksa të shumta janë pritjet fantastike.

Çmimi i mbrojtësit më të mirë i shkon një argjentinasi. Cristian Romero është shpallur më i miri në prapavijë. Kolegu i Berat Gjimshitit është shfaqur një “mur” në mbrojtjen e Atalantës në sezonin e fundit.

Mesfushori më i mirë? Nicolo Barella. Puna me Antonio Conten e ka rritur shumë, 24-vjeçari shkëlqen në të dy fazat e lojës dhe është kthyer në një lojtar jetik për ekipin zikaltër. Sulmuesi më i mirë është zgjedhur Cristiano Ronaldo.

Ylli i Juventusit u shpall golashënuesi më i mirë në Serie A me 29 gola, duke merituar edhe çmimin e sulmuesit më të mirë të kampionatit italian. Vlerësim pati edhe për Dusan Vlahovic, autori i 21 golave këtë sezon.

21-vjeçari i Fiorentinës ishte një nga surprizat më të bukura të sezonit. Me golat e tij shpëtoi ekipin nga Firence nga rënia nga kategoria, ndërsa sot fitoi çmimin e lojtarit më të mirë U23.

Po futbollisti më i mirë i sezonit? Çmimi shkon për Romelu Lukakun, i cili udhëhoqi Interin drejt titullit kampion. Potencë fizike, teknikë superiore dhe motivues e udhëheqës. Numrat e sezonit të tij janë të jashtëzakonshëm: 24 gola dhe 11 asiste. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!