Janë ende të pamposhtur këtë sezon dhe një meritë e madhe shkon edhe për mbrojtësin e Kombëtares, Ardjan Ismajlin.
Empoli ka regjistruar një tjetër rezultat pozitiv në Serie A, teksa mbrëmjen e kësaj të diele ka barazuar me “Violët” e Fiorentina, me “Blutë” që lumturuan jo pak 16.284 tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit të tyre, “Carlo Castellani”.
Loja mund të thuhet se u dominua totalisht nga Fiorentina, me djemtë e teknikut Raffaelle Palladino që patën raste të panumërta shënimi, mirëpo një mbrojtje e udhëhequr mjeshtërisht nga “shtatlarti” Ismajli i mohoi jo në pak raste kundërshtarëve, për të shkuar drejt portës së Vasquez Llach.
Falë këtij rezultati, Empoli është ngjitur në vendin e gjashtë të tabelës, me 10 pikë, po aq sa Napoli, Lazio e Udinese, teksa ndodhet vetëm një pikë zonës Champions, në të cilën janë rreshtuar Milan, Inter e Torino, me nga 11 pikë. /i.m /abcnews.al