Serie A, “finalja” në distancë/ Napoli dhe Inter luajnë në mbrëmje sfidat e tyre të fundit

schedule12:46 - 23 Maj, 2025

schedule 12:46 - 23 Maj, 2025

Napoli, Inter, apo një finale për titullin? Gjithçka mund në ndodhë, por më shumë shanse ka varianti I parë, me skuadrën e Antonio Conte që është vetëm 90 minuta larg trofeut të Serie A.

Për të mësuar fundin, nuk duhet pritur gjatë. Në orën 20:45 Napoli dhe Inter do të zbresin në fushë, qindra kilometra larg njëri tjetrit për sfidat e tyre të fundit në këtë sezon të kampionatit italian.

Napolitanët do të presin në tempullin e tyre “Diego Armando Maradona” Kaljarin.

Të zotët e shtëpisë kanë të gjitha kartat në dorë për triumfin, pasi kryesojnë renditjen dhe me një fitore do të vulosnin “Scudetto” e katërt në historinë e tyre.

Në letër nuk duhet të ketë probleme, me Napolin favorit absolut dhe që ka ndihëm e tifozëve që presin vetëm të festojnë.

Ndërkohë, Inter kapet fort pas shpresave matematikore. Me një pikë më pak se kryesuesit, zikaltërit duhet të fitojnë sfidën e tyre në fushën e Komo dhe të presin që napolitanët të humbasin ose barazojnë në shtëpinë e tyre.

Shpresa vdes e fundit, por shanset janë të pakta, ashtu si ato për variantin më dramatik të mundshëm.

Nëse Napoli humbet dhe Inter barazon, dy skuadrat do të kishin pikë të barabarta në klasifikim dhe sipas rregullores së garës në Serie A, titulli do të vendosej me një finale.

Në futboll gjithçka mund të ndodhë dhe për këtë arsye Liga Italiane është përgatitur për të gjitha opsionet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!