Serie A do të rinisë, të gjitha ekipet marrin leje për t’u stërvitur

schedule17:59 - 3 Maj, 2020

schedule 17:59 - 3 Maj, 2020

Me gjasë, topi do të nisë të rrotullohet shpejt. Ende nuk dihet se kur mund të fillojë Seria A, por është zyrtare që skuadrat e saj mund të nisin stërvitjen.

Ky është vendimi i Ministrisë së Brendshme të Italisë, pas këshillimit me Komitetin Tekniko-Shkencor të qeverisë. Në dokumentin e firmosur nga ministrja e brendshme, Luciana Lamorgesse, jepet leje edhe për ekipet e ndryshme sportive, të gjithë llojeve të sportit dhe të kategorive, që të ushtrohen në ambiente private e publike, ashtu siç u është dhënë leje edhe qytetarëve.

Fillimisht, leja u dha në mënyrë rajonale. Ishte krahina e Kampanias, me kryeqendër Napolin, që dekretoi se skuadrat mund të stërviten, pra një lajm i madh për skuadrën e trajnerit Gatuzo, ku bën pjesë edhe kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Më pas, edhe rajone të tjera si ai i Lacios, ku ndodhet kryeqyteti italian, Romë, si dhe krahinat e Emilia Romanjës apo të Sardenjës. Lazio, Roma, Bolonja, Parma dhe SPAL-i i Ferrarës morën leje, por tashmë kjo u zgjerua për të gjithë.

Vendimi i Ministrisë së Brendshme i dha fund polemikave që mund të bëheshin të forta, për pabarazi në trajtim të skuadrave. Stërvitjet duhet të bëhen nën masa të forta sigurie, me distancë prej 2 metrash nga njëri-tjetri.

Seria A, ndërkaq, shpreson të kthehet sa më shpejt në fushë për të luajtur, ndonëse ende nuk ka një datë të përcaktuar. Drejtuesit theksojnë se nëse sezoni anulohet, humbjet do të arrinin në 800 milionë euro, përfshi të drejtat televizive, biletat, tregtinë dhe sponsorizimet.

Gjithsesi, dy të tretat e qytetarëve italianë janë kundër kthimit të ndeshjeve, sidomos në Lombardi e zonat e veriut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!