“Ylli” ynë ishte sërish në formë të mirë, ama skuadra e tij la shumë për të dëshiruar.
Empoli ka pësuar një humbje të madhe mbrëmjen e kësaj të shtune, me Ismajlin me shokë, të cilët janë mundur me rezultatin e thellë 3-0, në mitikun e “San Siro”, nga “Djajtë” e Milan, në sfidën e vlefshme për javën e 14-të të Serie A.
Protagonisti absolut në fitoren e “Kuqezinjve” ishte padyshim talenti holandez, Tijjani Reijnders, me dopietën e tij në minutat 44’ e 69’, teksa më herë për skuadrën e teknikut Paulo Fonseca e kishte gjetur edhe “bomberi” spanjoll, Alvaro Morata, pas një topi të kapur papritur në zonën e kundërshtarëve, në minutën e 19’-të.
Pavarësisht humbjes së hidhur, kapiteni Ismajli ishte sërish ndër më të dalluarit në mbrojtje ku ndaloi jo në pak raste sulmet e vendasve.
Kështu, falë këtij rezultati “Djajtë” e Milan janë ngjitur në kuotën e 22 pikëve dhe tashmë pozicionohen në vendin e 7-të të tabelës, me 3 pikë më pak se Juventus, ndërsa Empoli i Ismajlit mbetet në vendin e 10-të me 16 pikë. /i.m /abcnews.al