Sergio Ramos mund të barazojë dy rekorde në ndeshjen sotme të Spanjës, në orën 20:45. Kapiteni synon të arrijë legjendat Iker Kasijas dhe Daniel Pasarela.
Është një nga fituesit më të mëdhenj të këtij sporti, dhe një nga më të lavdishmit edhe duke mos qenë sulmues. Sergio Ramos, “dryni” i kombëtares spanjolle do të përpiqet të barazojë dy rekorde në ndeshjen e sotme ndaj Ishujve Faroe, në eliminatoret e Europianit.
Kapiteni i “furive të kuqe”, nëse shënon, do të barazojë argjentinasin Daniel Pasarela, si mbrojtësi që ka shënuar më shumë gola për ekipin kombëtar. Ish-kapiteni i Argjentinës ka 22, kapiteni i sotëm i Spanjës, 21.
Ramos është pranë barazimit të një rekordi kombëtar, atij të Iker Kasijasit, si lojtari me më shumë ndeshje me ekipin e tij përfaqësues. Sonte mund të luajë sfidën numër 167, po aq sa ish-kapiteni dhe ish-portieri.
Në këtë mënyrë, qendërmbrojtësi do të jetë vetëm 9 ndeshje larg rekordit europian që e mban Xhixhi Bufon i Italisë, dhe 17 larg rekordit botëror që e ka egjiptiani Ahmed Hasan.
Gjithsesi, Ramosi e ka një rekord, madje shumë të madh, është lojtari që ka arritur më shumë fitore me kombëtaren, 124, që kur nisën ndeshje të tilla me duelin Skoci-Angli në 30 nëntor 1872./ABC News Albania 24/7