Trajneri i Serbisë, Aleksandër Gjorgjeviç, u ankua për formatin e kampionatit botëror në basketboll për meshkuj. Skuadra ballkanase fitoi me diferencë të madhe, dhe Gjorgjeviç u shpreh se kjo ndeshje nuk i shërbeu askujt.
Analistët po thonë se, të paktën në këtë Kupë Bote, është ekipi më i fortë, edhe më lart se SHBA-ja.
Flasim për Serbinë, një fuqi tradicionale të basketbollit për meshkuj, që po paraqitet tepër lart në finalet që po luhen në Kinë, deri aty sa ka arritur 105 pikë diferencë në dy ndeshje.
Suksesi i parë ndaj Angolës, 105-59, ja ku erdhi e dyta, edhe më e thellë ndaj Filipineve.
Triumfi ishte 126-67, një nga diferencat më të mëdha në historinë e Botërorëve, madje me ballkanasit që nuk dhanë maksimumin, duke ruajtur forcat për më vonë.
Një gjë e tillë nuk i pëlqeu shumë trajnerit Aleksandar Gjorgjeviç, dhe e theksoi këtë pas fitores.
“Që në fillim në disa prej grupeve dihej se kush do të kualifikohej, – tha ish-lojtari i Partizanit të Beogradit, – grupi ynë është njëri prej tyre, dhe nuk e di nëse kjo është gjë e mirë për Kupën e Botës. Sa mund të na shërbejnë ne, apo filipinasve, ndeshje të tilla? Filipinet treguan talent, por u prishi punë mungesa e forcës fizike.”
Gjorgjeviç vlerësoi seriozitetin me të cilin luajti ekipi i tij, dhe theksoi se dueli i ardhshëm, të mërkurën ndaj Italisë, do të jetë diçka tjetër.
Trajneri i aktivizoi thuajse të gjithë lojtarët e tij, duke mos i lodhur shumë.
U dalluan Jokiç, Marjanoviç, Bogdanoviç, Raduljica, Milutinov apo Simonoviç, por sidomos Bjelica i kthyer nga dëmtimi. /ABC News Albania 24/7