Serbia sërish kampione e Europës

schedule14:11 - 9 Shtator, 2019

schedule 14:11 - 9 Shtator, 2019

Serbia fitoi për të dytën herë radhazi titullin kampion të Europës në volejboll për femra. Skuadra ballkanase triumfoi në një finale të fortë ndaj Turqisë në Ankara.

Kaq lart është ngritur kombëtarja e një vendi të vogël ballkanas. Serbia fitoi për të dytën herë radhazi titullin kampion të Europës në volejboll për femra, pas triumfit ndaj Turqisë në finale.

Suksesi ishte i jashtëzakonshëm, pasi vajzat serbe luajtën në një Arenë të Ankarasë, të mbushur plot me 15 000 tifozë turq, që përkrahën ekipin e tyre nga fillimi deri në fund.

Përfundimi ishte 3-2, me setet 21-25, 25-21, 25-21, 22-25 e 15-13 në favor të ekipit nga Ballkani.

Tashmë, të përzgjedhurat e trajnerit Zoran Terziç kanë tre tituj kontinentalë në 5 edicionet e fundit, duke qenë kombëtarja e dytë më e suksesshme në Europë, për të gjitha kohët, pas Rusisë, që ka edhe titujt e ish-Bashkimit Sovjetik.

Një arritje e jashtëzakonshme i një volejbolli që dikur ishte prapa atij shqiptar, madje edhe kur shteti ishte Jugosllavi, dhe kur kombëtarja shqiptare apo Dinamo e Kreshnik Tartarit, Ela Tases apo Mimoza Ibrahimit, triumfonte në çdo duel në vitet 80-të e fillim vitet 90-të.

E qartë, që nëse ia del Serbia, mund ta provojë edhe Shqipëria, gjithnjë nëse punon si atëherë. Serbia arriti një tjetër sukses të madh pas titullit botëror fituar vitin e kaluar, ndërsa do të jetë ndër favoritët për të fituar medaljen e artë olimpike në 2020 në Tokio.

“Ishte pikërisht ajo që prisnim, – tha kapitenia Maja Ognjenoviç, – një finale që nuk I dihej fundi, me shumë përmbysje. Nuk ishte e lehtë në një ambient të tillë, ndoshta asnjëra prej nesh nuk ka pasur rast të luante përpara një publiku të tillë, por një sportiste ëndërron të luajë në një atmosferë të tillë. Përballuam presionin dhe arritëm fitoren”.

Serbisë i takoi edhe lojtarja më e mirë e turneut, Tijana Boshkoviç, 21-vjeçarja që luan pikërisht në Turqi, me Ekzaxhibashin e Stambollit. Kampionet e Europës e festuan fitoren me një këngë të njohur të viteve të fundit, që i kushtohet sakrificave të ushtarëve në Luftën e Parë Botërore në frontin e Selanikut./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!