Bashkimi Europian është i shqetësuar për Serbinë dhe rrugën e saj të integrimit në BE.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se Komisioni Evropian ende po vlerëson nëse Serbia i përmbush kushtet për “pagesa në bazë të instrumenteve financiare të Bashkimit Evropian”, duke nënkuptuar fondet që Brukseli shpërndan për vendet në process anëtarësimi në Ballkan.
Ajo nënvizoi se problem janë ligjet që minojnë pavarësinë e gjyqësorit, shtypja e protestuesve dhe ndërhyrjet e përsëritura ndaj mediave të pavarura.
Konkretisht Serbia rrezikon humbjen e 1.5 miliard eurove mjete financiare nga Bashkimi Evropian dhe se Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e pezullimit të tyre edhe për shkak të lidhjeve të ngushta të Beogradit me Rusinë.
Në shkrim rikujtohet se Serbia nuk është anëtare e BE-së, por, meqë ka nisur negociatat e anëtarësimit në vitin 2014, ka të drejtë të përfitojë fonde dhe grante për ta ndihmuar Beogradin në zbatimin e reformave.
Javët e fundit, brenda KE-së ka pasur një nismë për t’ia ndalur këto fonde Serbisë.
Nga Serbia deklarojnë se janë të bindur se nuk do të ketë pezullim të financimit dhe se Beogradi nuk po heq dorë nga synimi për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e bllokut evropian.


