E përditshmja e Beogradit, “Blic” shkruan se SHBA i ofruan Beogradit sjelljen në Serbi të kompanive më të mëdha për të investuar në shkëmbim të njohjes të pavarësisë së Kosovës prej saj, ofertë të cilën Beogradi e refuzoi.
I dërguari special i Presidentit amerikan për Kosovën, Richard Grenell, u kishte kërkuar Beogradit dhe Prishtinës që të arrinin marrëveshje mbi njohjen reciproke dhe për këtë, do të fitonin “shpërblim në formë ekonomike” dhe do të organizohej konferencë investuese. Koha raportoi se zoti Grenell kishte premtuar se do të ftonte disa nga kompanitë më të mëdha të botës që të investonin në Serbi, por siç pritej, nuk gjeti përkrahje në Beograd.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është i matur kur bëhet fjalë për konferencë ndërkombëtare për Kosovën, një ide që figuron pavarësisht nga ajo për investime, dhe shton se nëse ndodh kjo, në të duhet të marrin pjesë patjetër të gjitha fuqitë e mëdha.
Sipas Blic, duke pasur parasysh mospajtimet midis Berlinit e Parisit, Uashingtoni përpiqet të nxjerrë nga loja BE-në dhe ta marrë vete në dorë zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Gazeta shkruan se presidentit amerikan Donald Trump, “nuk i intereson thelbi” dhe “ai kryesisht mendon sesa spektakolare do të ishte që marrëveshja të nënshkruhej në Washington, në Shtëpinë e Bardhë, meqë i duhet spektakli” dhe për të, ky do të ishte një sukses në garën për mandatin e dytë presidencial. Do të ishte si Marrëveshja e Daytonit për Bill Clintonin./ABC News Albania