Serbia na mbyll furrën e bukës! Të mbjellim grurë apo Canabis?

schedule15:17 - 9 Mars, 2022

schedule 15:17 - 9 Mars, 2022

Nga Mentor Kikia

Mesaduket, çmimi i karburanteve nuk do të jetë i vetmi që do të na varet na qafën tonë të kërrusur. Serbia ka njoftuar se do të bllokojë eksportet e ushqimeve(grurë-miell, misër, vaj), për të ruajtur rezervën për popullin e saj në këtë kohë krize globale. Kjo do të ndikojë drejtëpërdrejtë në furnizimin e tregut shqiptar me miell.

“Gati 20% e drithërave tona, e grurit sidomos, vjen nga Serbia, një pjesë tjetër e madhe, gati 60-70% në varësi të periudhës, vjen nga Rusia, kështu që për ne ky vendim është katastofik” – kështu ka pohuar eksperti i ekonomisë Endrit Yzeiraj, në një intervistë për Euroneës Albania.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç njoftoi sot se Serbia nga dita e nesërme planifikon të ndalojë eksportet e miellit, grurit, misrit dhe vajit të gatimit. Tregu i miellit në Shqipëri, zotërohet nga Rusia dhe Serbia, të cilat së bashku dominojnë 89,3% të tij sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Në dy vitet e fundit, importet e drithërave ishin afërsisht 366 mijë tonë në vit. Nga kjo sasi, mbi 199 mijë tonë ishin nga Rusia dhe 127 mijë tonë nga Serbia. Shifrat janë të lëvizshme, por ajo që është e sigurtë është se pas bllokadës ruse si pasojë e embargos, Serbia ka çelësat e furrave tona të bukës.

“Për momentin kemi 800 mijë ton grurë, kurse 1.5 milionë ton misër rezerva. Nevojat tona vjetore janë 1.2 milionë ton grurë. Do të kemi sa të doni” – ka siguruar popullin e tij presidenti serb.

Po Shqipëria sa rezerva ka?

A ka ndonjë në qeveri ti thotë popullit shqiptar se “edhe sa ditë bukë” ka të siguruar?

Kultivimi i drithërave në Shqipëri është në shifra modeste krahasur me nevojën për konsum njerëzor dhe blegtoral. Skemat mbështetëse kanë qenë kryesisht për perimet dhe drurët frutorë, duke bërë që ushqimi bazë i popullsië të varet kryekëput nga importi rus dhe serb.

Sa i takon karburanteve, në vitin 2021 Shqipëria importoi 12 përqind të sasisë së naftës që i duhet vendit nga Rusia. Edhe nafta e importuar nga Italia ka origjinë nga Rusia, por përpunohet në rafineritë italiane. Vitin e kaluar importi i naftës dhe gazit arriti në rreth 1 milion ton, ku gati 70 përqind ishte naftë.

Shqipëria është një vend me potencial të madh naftëmbajtës dhe prodhues. Shifra të përafërta flasin për nxjerrjen e rreth 22 mijë fuçi naftë në ditë. Ndërsa rezervat, edhe pse jo të gjith të zbuluara, përllogariten deri në 220 milionë fuçi naftë dhe 5.7 miliard metra kub gaz natyror.

Kjo e bën Shqipërinë të zërë një vend në listën e vendeve naftëmbajtësë në nivel global. Por sot Shqipëria nuk përpunon asnjë litër naftë. Industria e saj, pasi u shfrytëzua në mënyrë kriminale nga sipërmarrës të lidhur me qeveritë e PD-së dhe PS-së, u çmontua përfundimisht, duke i dhënë fund zyrtarisht përpunimit të naftës në vend. Ajo nuk prodhon asnjë liër naftë “ Made in Albania”, që të mund të zbuste krizën e madhe, që nuk dihet se ku do të ndalet.

Me një veprim në nivelin e tradhëtise kombëtare, qeveritë e ketij vendi e kanë dorëzuar industrinë e naftës në durat e kompanive të huaja të cilat i shfrytëzojnë vendburimet dhe me marifete proceduariale, i shmangen edhe taksave, pasi kontratat janë bërë tërësisht në favor të tyre.

Të varur tërësisht nga nafta e huaj dhe tërësisht nga buka e huaj, ne sot kemi një qeveri që vetëm na lajmëron çdo ditë se ditë edhe më të këqija do të vijnë. Në fakt ne nuk kemi nevojë për një qeveri që të na njoftojë për krizat, ashtu siç bëjnë vajzat me minifunde, që tregojnë parashikimin e motit në ekrane, por për një qeveri që të marrë masa për sot dhe për të ardhmen. Politikat e mbrapshta, të diktuara nga korrupsioni, kanë bërë që Shqipëria ta ndjeje efektin e krizave globale me shpejt se vendet që i prodhojnë ato.

Kjo situatë që po kalojmë, duhet të shërbejë si një mësim i madh dhe historik për të korigjuar sjelljen tonë. Por duket se asgjë nuk ka për të ndryshuar. Pasi ne thjeshtë do të presim të pushojë lufta që të tjerët të na hapin rubinetin e naftës dhe derën e furrës së bukës.

Deri atëherë ne duhet të plotësojë pyetsorin e qeverisë: A jeni dakord të kultivojmë cannabis për arsye mjeksore?

Pasi, disa fusha që mund të mbilleshin me drithra do të mbillen me lëndë narkotike, tashmë me leje. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!