Serbia është shteti që ka importuar më shumë armë të sofistikuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vitet e fundit.
Të dhënat janë bërë publike nga Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Kërkime dhe Paqe.
Edhe pse të gjitha shtetet kanë rritur shpenzimet ushtarake, Beogradi bënë dallim në sasinë e blerjeve krahasimisht me vendet e tjera të rajonit.
Serbia renditet e 37-ta në botë për importe të sistemeve komplekse të armëve, duke lënë prapa edhe shtetet tjera të Bashkimit Evropian, si Kroacia e Bullgaria.
Sipas Katarina Gjokiç, hulumtuese në këtë institutë, Serbia u ka prirë investimeve kryesisht për të riparuar armët e trashëguara nga Jugosllavia dhe se edhe tensionet me Kosovën “ka gjasa të kenë nxitur më shumë mendimin se një arsenal më i mirë është kartë e fortë në negociata me aktorët ndërkombëtarë”.
Sipas institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkime dhe Paqe, Serbia shpenzon konkretisht 343.7 dollarë për banor në territorin e saj.
Ka qenë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që ka deklaruar se shteti i tij do të dyfishojë kapacitetin ushtarak për një vit e gjysmë.
Furnizuesi kryesor për Serbinë ka qenë Kina, kryesisht për shkak të sistemeve mesatare të mbrojtjes ajrore, ndërsa pjesa tjetër përbëhet me donacione të mëdha nga Rusia dhe Bjellorusia.
Beogradi ka nënshkruar po ashtu kontrata me Francën e Izraelin.


