Serbia këtë të enjte më 24 dhjetor pritet që të nisë vaksinimin e popullatës së saj kundër koronavirusit, duke përdorur vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech. Mes personave të parë që do të marrin dozat e vaksinës anti Covid do të jetë edhe kryeministrja, Ana Bërnabiç, me qëllim të rritjes së besimit publik në sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës.
Mediat vendase bëjnë me dije se Serbia ka pranuar rreth 5,000 doza të vaksinës së krijuar nga Pfizer/BioNTech më 22 dhjetor. Ndërkohë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë se dozat e para do t’i marrin të moshuarit nëpër shtëpi kujdesi.
“Është e rëndësishme që të mbrojmë këta njerëz, më shumë se 80 për qind e personave që kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm janë të moshuar dhe ata janë më të rrezikuarit”, ka thënë ai.
Ndonëse Serbia nuk ka miratuar ende përdorimin e vaksinave, ky shtet pritet të përdorë edhe vaksinën e prodhuar nga Rusia kundër koronavirusit, Sputnik V dhe atë të Kinës, Sinopharm për të siguruar më shumë doza për popullatën me 7 milionë banorë. Vaksina e kompanive Pfizer/BioNTech është miratuar në Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada dhe Izrael.
Ndërkohë në Bashkimin Evropian përdorimi i vaksinës do të nisë më 27 dhjetor./abcnews.al