Serbët ia vranë djalin, burrin dhe tre vëllezërit, nëna rrëfen tmerrin që ndodhi në Mejë

schedule16:48 - 27 Prill, 2023

schedule 16:48 - 27 Prill, 2023

Dielli ka ndriçuar përmendoren e djalit të saj të vrarë, teksa pa ndalim lëmon faqet e tij. Ajo po heq mallin e Samiut përmes fotografisë aty, të cilit ia këputen rininë në moshën 20-vjeçare. E moshuara nga fshati Brovinë, ka marrë ulësen me vete për të qëndruar me orë në afërsi, ku prehet trupi i më të dashurit të saj. Mezi iu bën bashkë edhe eshtrat, pas masakrës së Mejës ku të njëjtin fat e patën edhe 376 të tjerë.

Mosha e mërzia nuk ia kanë shlyer kujtimet e tmerrshme të kësaj masakre.

Nënë Tixhja nga fshati Brovinë e Gjakovës, jeton me dhimbjen për djalin e saj, të cilin ia morën nga jeta paramilitarët serbë.

“I djalit tim është (varri) që ma kanë vrarë këtu në Mejë, sot 22-23 vjet. Ne kështu të mërzitura cdoherë. Çfarë të bëjmë…. Atëherë na qiten shkijet neve, këta i ndalen këtu, duart për mbrapa, e gjunjtë në tokë. Qaty i kemi lënë, nuk kemi guxuar me i ndal, sa atje i kemi dëgjuar krismat që i kanë vrarë aty. Tani na kanë mërthyer për Shqipëri, jemi shkuar për Prizren edhe atje patën me na vra shkijet, duke na i vendosur thikat në fyt, duke na kërkua pare, menzi jemi dalë në Shqipëri për Shqipëri”, tha ajo.

Ajo shtoi se po e ka të vështirë të jetojë me këtë dhimbje, por për ta ndryshuar këtë nuk ka mundësi.

Në 24 vjetorin e kësaj masakre, pranë shumë varreve në Mejë, janë kujtuar edhe prindërit që lanë fëmijët me dhimbje. Mire Ndreca tregon për KosovaPress, për nënën e saj të vrarë në 27 prillin e vitit 1999.

Shteti serb nuk kurseu as të miturit. Ajshe Avdyli po kujton 16-vjeçarin, aso kohe, Bajrushin.

Ajshja tha se institucionet nuk kanë bërë asgjë në vendosjen e drejtësisë për të gjithë të vrarët.

24 vjet më parë, 377 shqiptarë janë vrarë nga paramilitarët serbë.

Kosova ende nuk dinë për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. /KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!