Nga Enkeleda Bodini
Në një kohe kur gjithçka na rrethon është teknologjia, të dëgjosh për botime librash ngjan si e çuditshme, por është diçka e bukur. Kjo do të thotë se ka akoma njerëz që duan të shfletojnë faqet e librave në vend të hapjes së skedave në Internet. Së fundmi, autorja Serafina Hasanbelliu ka botuar romanin e saj të parë “Nën hijen e ëndrrës”, një libër që nëse do e keni në duar, do ta mbaroni me një frymë.
Në një intervistë për abcnews.al, Serafina ka rrëfyer për shkrimin e këtij romani, përjetimet personale që nga shkrimi, botimi dhe reagimet që ka marrë nga lexuesit, si dhe arsyeja pse ky libër duhet të jetë patjetër në bibliotekën tuaj.
“Nën hijen e ëndrrës” është një roman me karakter universal, që i përshtatet çdo shoqërie që përpiqet të mbijetojë nën regjime mbytëse për lirinë dhe të drejtat e individit. Shkrimi i tij ka qenë një ëndërr e hershme e Serafinës, që u realizua.
“Romani që i kushtohet sagës së intelektualeve të viteve ’45, ka qenë një ëndërr e imja e hershme. Më janë dashur tre vjet për ta mbyllur. I jam rikthyer disa herë kryesisht kapitujve të caktuar derisa vendosa t’ia dërgoj Tereza Babasulit, redaktores se romanit dhe mikeshës time për të shpëtuar nga lodhja e përpjekjeve për të gjetur “fjalinë perfekte”. Titulli lidhet me dëshirën e madhe për pushtet që shpalos personazhi kryesor i romanit, Andrea. Ai është fëmija i braktisur i një gjeniu dhe trashëgoi në gjenet e tij të gjithë gjenialitetin e të atit. Fëmijëria e vështirë, por edhe epërsia e intelektit e kthejnë Andrean në një njeri me ambicie të forta për të kapur majat e pushtetit. Por cili do të jetë çmimi i ëndrrës së tij dhe a do të mund ai ta mbajë mbi shpatulla peshën e hijes së kësaj ëndrre? Sepse, siç e dimë gjithçka e ka një çmim. Edhe ëndrrat , sado eterike të duken, e kanë peshën e tyre”, shprehet për abcnews.al, Serafina Hasanbelliu.
“Nën hijen e ëndrrës”, që mund ta gjeni në libraritë Adrion dhe në platformën online Bukinist, është një roman që asnjë element nuk e ka rastësor, është sfidues, i mbështjellë me mister. Është i vështirë për t’u harruar.
“Romani përfshin tre breza të një shoqërie. Për të kuptuar kompleksitetin e dramës aktuale është e domosdoshme të udhëtojmë pas në kohë, aty ku fillon gjithçka. Është një rrëfim jo i lehtë. Libri kërkon përqendrim dhe vëmendjen e lexuesit në çdo faqe të tij”, tha Serafina, e cila është munduar të përshkruajë në qelizë atë që shqiptarët përjetuan për 45 vite me radhë nën regjimin komunist.
Autorja tregon se, gjithçka filloi me terrorin dhe frikën, mohimin e Zotit, shitjen e shpirtit, humbjen e lirisë, humbjen e marrëdhënieve njerëzore duke përdorur mënyrën perfide të mbjelljes së dyshimit.
“Shkatërrimi i familjeve, i miqësisë, i dashurisë, i besimit është fitore e barbarëve. Në çdo kohë! Jemi të kërcënuar në çdo kohë të humbim lirinë dhe identitetin tonë përballë atyre që unë i quaj barbarë. Dhe barbarët janë të aftë të ndryshojnë ngjyrë e flamur sa herë u nevojitet për të mbajtur pushtetin e tyre. Mendoj se sot jemi më të rrezikuar se kurrë nga barbarizimi pasi, për fatin tonë të keq, në anën e barbarëve është edhe teknologjia. Kontrolli ndaj njerëzve është teknikisht më i lehtë. Kjo është një luftë e gjatë të cilën ne, pra ne njerëzit e thjeshtë, mund ta fitojmë vetëm duke mos u dorëzuar, duke mësuar, duke lexuar e duke dashur më shumë njëri-tjetrin. Sidomos brezat e rinj, të cilët gjykoj se do kenë sfida të mëdha përpara, në një botë që po humbet përditë e më shumë mbështetjen tek arsyeja”.
Autorja ka pasur një lidhje emocionale me librin. Ajo shprehet për abcnews.al se pas përfundimit të tij, është ndjerë bosh, sepse gjithçka kishte në mendje dhe zemër e hodhi ne letër. Dhe, kur diçka e shkruan me fjalët e shpirtit, edhe reagimi ndaj saj do të jetë pozitiv. “Nën hijen e ëndrrës” është pritur shumë mirë nga lexuesit.
“Të jem e sinqertë nuk e prisja një reagim të tillë pasi në thelb unë e shkrova më shumë për miqtë, të afërmit, pra rrethin tim. Por kjo shkoi goxha përtej. Qenka diçka shumë e bukur. Mendoj se, ashtu si edhe njerëzit, romanet kanë fatin e tyre”, tha Serafina, e cila tashmë ka në plan botimin e një libri të dytë, që do të jetë më pak universal se i pari, por njësoj i veçantë.
Botimi për herë të parë i një libri, nuk është një zgjedhje e lehtë. Është një thikë me dy presa, ku vetëm besimi në vetvete mund të të orientojë te zgjedhja e duhur. Shumë të rinj që shkruajnë, druhen të botojnë dhe gjithë bota e tyre mbetet në fletore. Për ta, Serafina ka një këshillë: të luftojnë deri në fund për realizimin e ëndrrës së tyre.
“Mos të druhen hiç. Të luftojnë deri në fund për të realizuar ëndrrën e tyre, pra në rastin tonë për ta botuar atë libër. Edhe për mua nuk ka qenë e lehtë. Duke mos pasur ide të mënyrës sesi botohet një libër hasa për disa muaj në një mur pa asnjë derë. Jam përballur me indiferentizëm dhe me maskilizëm të jashtëzakonshëm. Mos u çudisni, por në vitin 2020 me janë thënë fjalë të tilla si “femrat nuk janë të afta të shkruajnë një roman, pasi ato nuk kanë logjikë, deri tek poezia shkojnë..”. Dhe fjalë të tilla dhembin, dhe nëse vijnë nga dikush që rri i rrethuar nga rafte të tëra me libra, janë lënduese. Megjithatë unë pata fatin të takohem me një staf shumë profesionist të UET, të cilët më mikpritën , më vlerësuan. Ata nuk patën asnjë paragjykim se ky ishte veçse një roman i parë suksesi i të cilit nuk dihej dhe sigurisht gëzojnë mirënjohjen dhe vlerësimin tim më të thellë”./abcnews.al